Franca rrezikon të humbë kryeministrin e tretë brenda 12 muajve, pasi ai aktual François Bayrou ka kërkuar votëbesimin e Parlamentit, por që pritet ta humbë sot pasdite. Kjo mund të shkaktojë edhe më shumë paqëndrueshmëri për ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Europian.
Kryeministri centrist, 74 vjeç, i emëruar nga presidenti Emmanuel Macron rreth 9 muaj më parë, po rrezikon, me shpresën se votimi do t’i bashkojë deputetët e ndarë thellësisht të Asamblesë Kombëtare, pas kërkesave të tij për shkurtimin e shpenzimeve publike. Bayrou beson se shkurtimet janë të nevojshme për t’i frenuar deficitin dhe borxhet në rritje të shtetit francez.
Por, deputetët e opozitës janë zotuar se do ta shfrytëzojnë rastin për ta rrëzuar Bayroun dhe qeverinë e tij pakicë të përbërë nga ministra centristë e të djathtë. Shkarkimi do ta detyronte Macronin të nisë një tjetër kërkim të lodhshëm për të gjetur zëvendësuesin e tij.
Asambleja Kombëtare me 577 deputetë, i ndërpreu pushimet verore për të mbajtur seancën e jashtëzakonshme që kërkoi Bayrou. Pas fjalimit të tij ku pritet të argumentojë se kursimet janë në interesin kombëtar, deputetët do të diskutojnë dhe më pas votojnë pro ose kundër qeverisë që drejton. Deputetët kanë edhe opsionin që të abstenojnë.
Bayrou ka nevojë për shumicë votash për të mbijetuar. Nëse shumica voton kundër tij, atëherë, në përputhje me Kushtetutën e Francës, Bayrou duhet t’i paraqesë dorëheqjen Macronit, çka e fut Francën në një krizë të re.
Deputetët e ekstremit të djathtë e të majtë, të cilët kanë thënë se do të votojnë kundër qeverisë Bayrou, kanë mbi 320 vende në Asamblenë Kombëtare, ndërsa centristët dhe aleatët konservatorë, 210, çka e bën dukshëm të pamundur për kryeministrin t’i mbijetojë votëbesimit.
Edhe vetë Macron është zotuar se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit, por rrezikon të kthehet në një president pa ndikim në planin e brendshëm nëse paraliza politike vazhdon. Sipas sistemit politik francez, kryeministri emërohet nga presidenti, i jep llogari Parlamentit dhe është përgjegjës për zbatimin e politikave të brendshme, veçanërisht atyre ekonomike.
Presidenti ka pushtet të madh mbi politikën e jashtme e çështjet europiane, si dhe është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Duke argumentuar se nevojiten shkurtime të mëdha për të rregulluar financat publike, Bayrou ka propozuar një kufizim prej 44 miliardë eurosh në shpenzime në vitin 2026, pasi vitin e kaluar, deficiti i Francës arriti në 5.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pra shumë më i lartë se objektivi zyrtar i BE-së prej 3%.