Bota

Frikë në Los Anxhelos, makina hyn mes turmës, dhjetëra të plagosur/1 person i qëlluar me armë zjarri!

Një makinë goditi këmbësorët jashtë një klubi nate në East Hollywood, Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke plagosur të paktën 31 persona. Zjarrfikësit raportojnë se të paktën pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë. Ngjarja ndodhi në Santa Monica Boulevard, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Imazhet nga vendngjarja tregojnë një makinë gri të dëmtuar rëndë të parkuar në trotuar, me mbeturina të shpërndara kudo. Disa persona të shtrirë në tokë, mbi batanije, po marrin ndihmë. Një foto tjetër tregon ekipet e shpëtimit duke ngritur një person të plagosur pranë automjetit.

Shoferi duket se është pa ndjenja, shpjegoi zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angeles, Kapiten Van Gerpen, duke shtuar se mes të plagosurve është një person me një plagë me armë zjarri. Megjithatë, nuk është e qartë nëse të shtënat lidhen me aksidentin rrugor.

Në një deklaratë, policia e Los Anxhelosit bëri të ditur se 4 apo 5 persona janë në gjendje kritike, 8 deri në 10 në gjendje të rëndë dhe nga 10 në 15, në gjendje të mirë shëndetësore.

Rreshteri Travis Ward, komandant i Divizionit Qendror të Trafikut të Departamentit të Policisë së Los Angeles, u shpreh se për momentin është ende shumë herët për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident të qëllimshëm. Autoritetet amerikane vazhdojnë hetimet.