Bota

27 të plagosur nga makina që hyri mes turmës që festonte në Liverpool!

Një automjet përplasi disa persona në Liverpool gjatë festimeve për fitoren e kuqezinjve në kampionatin anglez të futbollit. Njëzet e shtatë persona u plagosën, dy prej tyre rëndë. Drejtuesi i mjetit u arrestua. Policia e identifikoi si shtetas britanik, 53 vjeç, nga zona e Liverpool-it. Po zhvillohen hetime të plota për të përcaktuar rrethanat. Grupi hetimor përfshin edhe ekipin e antiterrorizmit, por policia shprehet se ajo që ka ndodhur “nuk po trajtohet si rast terrorizmi”. Autoritetet e zbatimit të ligjit e përshkruan si “incident lokal”, duke shtuar se nuk kërkohen persona të tjerë. Drejtuesi rrezikoi të goditej nga turma.

Hetuesit nuk po flasin për ndonjë pistë në këtë moment e nuk përjashtojnë në mënyrë eksplicite motive të mundshme. Dëshmitarë të cituar nga mediat vendase thanë se patën ndjesinë e shtypjes së qëllimshme. Automjeti goditi disa këmbësorë para se të ndalonte dhe para se drejtuesi të kapej. Sipas dëshmitarëve të cituar nga “Daily Mail”, dëgjohej boria  e makinës teksa lëvizte mes turmës, përpara se të ndalej.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale dhe edicionet online të gazetave tregojnë imazhe të përshkruara nga tabloidët si “tmerr”. Episodi ndodhi pas orës 18:00 me atë lokale, 19:00 me tonën e kur në qendër të Liverpool-it u mblodh një turmë njerëzish për të festuar triumfin e Reds-ave, që pritej të parakalonin në autobusin me lojtarë, trajnerë e drejtuesit e skuadrës që sapo kishte fituar Premier League-n.

Kryeministri Starmer mbahet vazhdimisht i përditësuar për situatën

Kryeministri britanik, Keir Starmer është duke u përditësuar vazhdimisht për ngjarjen. Kjo u bë e ditur nga agjencia e lajmeve PA. TV satelitor britanik Sky News raportoi se sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper gjithashtu po mbahet e informuar për situatën.

Skenat në Liverpool janë të tmerrshme, u shpreh Starmer në një deklaratë. Mendimet e mia janë për të gjithë ata që u plagosën ose u përfshinë. Dua të falënderoj policinë dhe shërbimet e urgjencës për reagimin e tyre të shpejtë e të vazhdueshëm ndaj këtij incidenti tronditës. Jam i informuar për zhvillimet dhe kërkoj që policisë t’i jepet hapësira për të hetuar.