Në shenjë nderimi për ndarjen nga jeta e Papa Françeskut, më 21 prill, e sotmja është shpallur ditë zie në Shqipëri, duke ulur në gjysmështizë flamurin kombëtar. Sot është dita e varrimit të Atit të Shenjtë, i cili mbylli sytë në moshën 88 vjeçare, pas një hemoragjie cerebrale e dëmtimit të pakthyeshëm të zemrës. Vendimi u mor në mbledhjen e qeverisë, dy ditë më parë.
Njoftimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
3. Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.
4. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Si Papa i 266-të i Kishës Katolike, Françesku ishte i pari nga kontinenti amerikan dhe i pari i lindur jashtë një shteti të Europës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar. Bergoglio, djalë i dy prindërve nga Italia e që emigruan në Argjentinë ka punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958-ën.
Si prift u shugurua më 1969-ën dhe u bë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën mes viteve 1973-1979. Më 1988-ën u emërua peshkop i kryeqytetit argjentinas, Buenos Aires. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e pati ngritur në funksione duke e bërë pjesë të Kolegjit të Kardinalëve.
I zgjedhur Papë më 2013-ën, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, emrin Françesk e zgjodhi për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin që kishte ndaj përulësisë e të varfërve. Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin te mëshira, Drejtësia Sociale dhe kujdesi mjedisor.