Familjet e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza i janë drejtuar Komitetit Norvegjez të Nobelit me një kërkesë të pazakontë: që Çmimi Nobel për Paqen t’i jepet Presidentit amerikan, Donald Trump. Në letrën e tyre, ato vlerësojnë se Trump arriti të bëjë të mundur atë që shumë e konsideronin të pamundur.
Sipas familjeve, Trump e meriton çmimin për përkushtimin e tij të palodhur për t’i kthyer në shtëpi të gjithë pengjet dhe për rolin e tij në nxitjen e paqes globale.
“Asnjë udhëheqës tjetër nuk ka dhënë më shumë për paqen në botë,” shkruhet ndër të tjera në letrën drejtuar Komitetit të Nobelit.
Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë se përfaqësues të Izraelit dhe Hamasit po zhvillojnë bisedime indirekte në Sharm el-Sheikh, mbi një plan paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA. Negociatat janë përqendruar në fazën e parë të armëpushimit, që parashikon tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite dhe lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë.
Burime nga Hamasi kanë bërë të ditur se organizata ka pranuar disa nga pikat kryesore të planit amerikan, një zhvillim që Trump e ka quajtur “hap vendimtar drejt paqes”. Edhe Izraeli e ka përshëndetur nismën e Uashingtonit.
Sipas marrëveshjes, Hamasi pritet të lirojë 48 pengjet e mbetura, rreth 20 prej të cilave besohet se janë gjallë, brenda tre ditësh, duke hequr dorë nga pushteti dhe duke u çarmatosur.
Kujtojmë se më 7 tetor 2023, luftëtarë të Hamasit rrëmbyen 251 persona dhe vranë rreth 1.200 të tjerë, kryesisht civilë, duke nisur kështu luftën që vijon ende në Gaza. Shumica e pengjeve janë liruar gjatë armëpushimeve të mëparshme ose marrëveshjeve të ndërmjetme.