Aktori i njohur hollivudian George Clooney ka tërhequr vëmendjen në eventin “Meet the Nominees” në kuadër të Çmimeve Tony, jo vetëm për nominimin e tij të parë në Broadway, por edhe për pamjen e tij të re – me flokë gri natyralë.
64-vjeçari, i njohur për rolet ikonike dhe stilin e tij elegant, ka hequr dorë nga ngjyrosja e flokëve me bojë të errët, të cilën e cilësoi më herët si “të tmerrshme”.
I veshur me një kostum gri dhe këmishë të zezë, ai u paraqit në hotelin Sofitel në New York, ku binte në sy me pamjen më të natyrshme, por që u diskutua gjerësisht në rrjet për shkak të lëkurës me nuancë portokalli dhe flokëve gri të theksuar.
Clooney është nominuar për herë të parë për çmimin “Aktori më i Mirë në një Dramë” për rolin e gazetarit Edward R. Murrow në shfaqjen “Good Night, and Good Luck” – një adaptim skenik i filmit të tij të vitit 2005.
Aktori ka pranuar me humor kritikat për eksperimentin me ngjyrën e flokëve. Gjatë një interviste për “CBS Mornings”, ai pranoi se edhe bashkëshortja e tij, Amal Clooney, nuk e pëlqeu pamjen me flokë të zinj.
Që nga mosha 25 vjeç kam qenë gri. Flokët e lyer nuk më shkojnë – më bëjnë të dukem më i vjetër
-u shpreh ai, duke shtuar se edhe fëmijët e tij qeshin me ndryshimet në pamjen e tij.
Shfaqja “Good Night, and Good Luck”, vendosur në epokën e McCarthy-t, nisi në mars dhe do të vazhdojë deri në qershor, ndërsa ceremonia e ndarjes së Çmimeve Tony pritet me interes, ku Clooney do të jetë një nga emrat më të komentuar të natës.