Dritan Rexhepi doli para trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme, GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë. Për Rexhepin, i cili njihet si “bos i drogës” dhe “ekspert i arratisjeve nga burgjet”, u mbajtën dy seanca. Me dyer të mbyllura iu dha masa e arrestit me burg ndërsa në seancën tjetër, në të njëjtën sallë ishte themeli me shtatë të akuzuar, mes tyre Gentian Funiqi (ende i pa ekstraduar nga Spanja).
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bëri të ditur se kjo seancë u shty për shkak se mungonte avokati mbrojtës i Korado Gështenjës, i njohur edhe me mbiemrin Kështenja. Në këtë proces, të akuzuar janë Aldo Majnishta, Artan Doçaj, Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Korado Kështenja/Gështenja e Martin Bleta.
Sipas SPAK-ut, Gentian Funiqi dhe Dritan Rexhepi, i cili ishte në burg në Ekuador, kërkuan rrëmbimin e Jan Prengës lidhur me vjedhjen e një sasie prej 260 kilogramësh kokainë, për të cilën akuzonin vëllanë e tij në Angli. Prenga u rrëmbye dhe u zhduk, më 17 janar 2020 në Kamëz.
Dritan Rexhepi u arrestua në Stamboll të Turqisë, në 10 nëntor 2023 dhe u ekstradua dy ditë më parë në Tiranë. Shqipëria ishte në garë me tre shtete për të bindur autoritetet turke lidhur me ekstradimin, përfshirë Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Ekuadorin.
I konsideruar si “mbreti i kokainës”, 44 vjeçari u prangos më 10 nëntor 2023 me dokumente false kolumbiane, me emrin Benjamin Omar Perez Garcia. Në Turqi kishte hyrë përmes aeroportit të Stambollit. Autoritetet italiane e gjurmuan dhe njoftuan kolegët turq që e ruajtën për disa ditë në vilë dhe pasi u bindën, ndërhynë për kapjen e tij.
Kreu i kartelit “Kompania Bello” të trafikut të kokainës me vlerë miliona euro nga Amerika e Jugut në Europë, me 14 banda kriminale shqiptare në përbërje, Rexhepi u kap në vitin 2014 në Ekuador dhe u dënua me 13 vite burg për trafik droge. Ai u favorizua me regjimin gjysmë të hapur pasi kreu të paktën dy të pestat e dënimit. Në një vendim të datës 4 nëntor 2021, përmendej se ka sjellje shumë të mirë dhe asnjë tentativë arratisjeje.