Gjykata e Posaçme la në burg oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj. Në një seancë me dyer të mbyllura të zhvilluar sot, u konfirmua masa e sigurisë e vendosur ndaj tij në mungesë.
Hetimet e kryera nga SPAK-u, në bashkëpunim me autoritetet italiane, zbuluan se Haxhiaj kishte nxjerrë sekrete hetimore dhe ishte korruptuar nga anëtarë të një grupi kriminal gjatë kohës që shërbente në Forcat Operacionale.
Në kuadër të këtij operacioni, në Shqipëri u arrestuan edhe tre persona të tjerë për llogari të autoriteteve italiane, me qëllim ekstradimin e tyre. Haxhiaj ka mohuar çdo akuzë duke thënë se nuk ka pasur aplikacionin Sky Ecc.
Më kanë përdorur emrin, nuk kam pasur Sky Ecc. Nuk kam komunikuar asnjëherë në aplikacionin Sky.
Ndërkaq, akuzohet si i lidhur me grupin e goditur nga SPAK-u, në bashkëpunim me palën italiane. Prangosja e tij ka lidhje me aksionin e përbashkët mes prokurorisë së Breshias dhe SPAK-ut, duke u goditur një grup i përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt shtetit fqinj.
Për vitet që dyshohet se ka kryer këto vepra penale, Igli Haxhiaj ka qenë pjesë e Forcave Operacionale. Muajt e fundit ishte transferuar te Antiterrori dhe gjithashtu, po vazhdon studimet për të marrë gradën nënkomisar.