Konflikti në Lindjen e Mesme ka arritur në ditën e 704-të. Global Sumud, flotilja që u nis me aktivistë dhe ndihma humanitare për Gazën, deklaroi se një nga anijet e saj “u godit nga çka dyshohet të jetë një dron”. Greta Thunberg ishte gjithashtu në bord. Tunizia, në ujërat territoriale të së cilës dyshohet se ndodhi sulmi, e mohon pretendimin.
Garda Kombëtare Tuniziane tha se nuk ka zbuluar “asnjë dron” pasi flotilja me destinacion Gazën njoftoi se një nga anijet e saj ishte “goditur” në ujërat tuniziane. Sipas hetimeve fillestare, pati një zjarr në jelekët e shpëtimit në bordin e një anijeje të ankoruar 50 milje nga porti i Sidi Bou Saidit e që vinte nga Spanja. Hetimet janë duke vazhduar dhe nuk janë zbuluar dronë, raportoi Garda Kombëtare edhe pse pjesëtarët e flotiljes thanë në një deklaratë se dyshojnë për një sulm me dron.
Në një tjetër zhvillim, pas një paralajmërimi fillestar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili deklaroi se Izraeli ka shkatërruar “50 kulla terrori” brenda dy ditësh, duke i nxitur të gjithë banorët të largoheshin nga qyteti i Gazës, IDF-ja lëshoi një urdhër evakuimi.
Ndërkaq, dje ishte një ditë e rëndë në Izrael. U njoftua se të paktën gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në “një sulm të dyshuar terrorist” në hyrje të kryqëzimit Ramot Alon në Jeruzalem. Dy sulmuesit u “neutralizuan” nga policia izraelite pasi hipën në një autobus në periferi të qytetit dhe hapën zjarr mbi pasagjerët.
Hamasi nuk e fshehu gëzimin dhe në një deklaratë, grupi radikal palestinez theksoi:
Ne e bekojmë këtë veprim heroik, një përgjigje të natyrshme ndaj krimeve të pushtimit.