Brooklyn Beckham dhe bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, janë parë duke shijuar një darkë intime në restorantin italian Mother Wolf në Los Angeles, vetëm pak ditë pasi rinovuan betimet e tyre të martesës. Çifti, i kapur dorë për dore dhe plot buzëqeshje, dha mesazhin e qartë se lidhja e tyre mbetet më e fortë se kurrë.
Nicola, 30 vjeçe, spikati me një stil elegant, duke kombinuar një bluzë të zezë të shkurtër me xhinse me bel të ulët dhe taka, ndërsa Brooklyn, 26 vjeç, zgjodhi një paraqitje më të thjeshtë me xhinse dhe bluzë.
Megjithatë, pas kësaj pamjeje romantike, marrëdhëniet me familjen Beckham duket se po përjetojnë një periudhë të vështirë. Ceremonia e rinovimit të betimeve, e mbajtur më 2 gusht në Westchester, u organizua vetëm me pjesëmarrjen e familjes Peltz, ndërsa asnjë nga anëtarët e familjes Beckham nuk ishte i pranishëm.
Madje, babai i Nicolës, miliarderi Nelson Peltz, udhëhoqi ceremoninë, duke marrë rolin kryesor në një ditë që prindërit e Brooklyn nuk e patën as në dasmën e parë.
Sipas burimeve pranë familjes Beckham, ky veprim është cilësuar si “goditja e fundit” në marrëdhëniet tashmë të tensionuara. Raportohet se David dhe Victoria Beckham e mësuan për ceremoninë vetëm pasi lajmi u bë publik, ndërsa Brooklyn nuk ishte i pranishëm në festimet e 50-vjetorit të të atit, gjë që ka shtuar më tej përçarjet.
Në rrjetet sociale, tensionet janë bërë edhe më të dukshme, pasi Brooklyn dhe Nicola nuk ndjekin më vëllezërit e tij, Romeo dhe Cruz, të cilët sipas burimeve kanë shkuar deri në bllokim të çiftit.