Kur flitet për kafshët më vdekjeprurëse në botë, shumica mendojnë për luanët, gjarpërinjtë apo merimangat. Por në realitet, kërcënimi më i madh për njerëzimin vjen nga një krijesë shumë më e vogël: mushkonjat.
Sipas të dhënave të publikuara nga platforma kërkimore “Our World in Data”, mushkonjat shkaktojnë rreth 760 mijë vdekje çdo vit, duke u renditur si kafshët më vdekjeprurëse në planet. Vetë njerëzit vijnë shumë më pas në këtë listë.
Arsyeja kryesore është se mushkonjat përhapin rreth 17% të të gjitha sëmundjeve infektive në botë, përfshirë malarien, dengën, ethet e verdha, chikungunya dhe virusin Zika.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e përkeqësojnë situatën. Me rritjen e temperaturave globale dhe verat më të gjata, mushkonjat po përhapen në zona të reja, duke shtuar frikën për kriza të reja shëndetësore në të ardhmen.
Megjithatë, ekspertët sqarojnë se nuk është e nevojshme të zhduken të gjitha mushkonjat. Nga rreth 3.500 specie që ekzistojnë, vetëm rreth 100 pickojnë njerëzit dhe vetëm pesë prej tyre janë përgjegjëse për afro 95% të infeksioneve tek njerëzit.
Biologia Hilary Ranson nga “Liverpool School of Tropical Medicine” deklaroi se zhdukja e këtyre pesë specieve “mund të tolerohej”, duke pasur parasysh dëmet e mëdha që ato shkaktojnë, nga humbjet e jetëve deri te pasojat ekonomike.
Ekspertët po studiojnë metoda të reja për të luftuar mushkonjat vdekjeprurëse. Një nga teknologjitë më të diskutuara është “gene-drive”, që përfshin modifikimin gjenetik të mushkonjave për t’i bërë ato sterile ose të paafta për të transmetuar sëmundje.
Një tjetër metodë përfshin infektimin e mushkonjave me bakterin Wolbachia, i cili redukton aftësinë e tyre për të përhapur dengën. Në qytetin brazilian Niteroi, kjo metodë solli një ulje prej 89% të rasteve me dengë.
Më shumë se 16 milionë njerëz në 15 vende të botës janë mbrojtur tashmë nga kjo teknologji, pa pasoja negative të raportuara deri tani.
Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se nuk ekziston një “zgjidhje magjike”. Përveç teknologjisë, ata kërkojnë më shumë investime në trajtim, diagnozë, vaksina dhe kushte më të mira jetese në vendet më të prekura nga sëmundjet që transmetohen nga mushkonjat.
Ekspertët theksojnë se beteja kundër mushkonjave nuk është vetëm një çështje shkencore, por edhe politike dhe sociale, sidomos në një kohë kur shkurtimet e ndihmës ndërkombëtare po rrezikojnë progresin kundër këtyre sëmundjeve.