Bota

Hamasi i përgjigjet Trumpit: Ne kurrë nuk kemi qenë pengesë për paqen

Hamasi hodhi poshtë sot akuzën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se grupi islamist palestinez po pengon përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza.

 “Hamasi nuk ka qenë kurrë pengesë për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Rripin e Gazës. Administrata amerikane, ndërmjetësit dhe e gjithë bota e dinë se krimineli i luftës (kryeministri izraelit) Netanyahu është i vetmi që pengon të gjitha përpjekjet për të arritur një marrëveshje”, tha organizata në një njoftim për shtyp.

Më herët sot, gjatë fjalimit të tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti amerikan deklaroi se Hamasi refuzon të lirojë pengjet e mbajtura në Gaza dhe të pranojë një armëpushim.

Hamasi ka përgatitur një letër për Presidentin e SHBA-së Donald Trump, duke i kërkuar atij të garantojë një armëpushim 60-ditor në Gaza në këmbim të lirimit të rreth gjysmës së pengjeve që mban, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

Raporti u konfirmua nga një burim që foli për “Times of Israel“, i cili tha se letra është aktualisht në Katar dhe pritet t’i dorëzohet Donald Trump këtë javë.

Megjithatë, sipas rrjetit televiziv izraelit “Channel 12 “, Hamasi ende nuk e ka nënshkruar tekstin, megjithëse vlerësohet se mund ta bëjë këtë në ditët në vijim.

Ndërkohë Katari ka “ngrirë” përpjekjet e ndërmjetësimit për lirimin e 48 pengjeve të mbetura në Gaza, pas përpjekjes së Izraelit për të goditur udhëheqjen e Hamasit në Doha në fillim të shtatorit.