Alec Baldwin është përballur me një valë kritikash në rrjetet sociale pas videos së publikuar në kujtim të aktorit të ndjerë Sam Neill, pasi shumë ndjekës e akuzuan se e kishte kthyer homazhin në një rrëfim për veten.
Aktori postoi një video në Instagram për të shprehur ngushëllimet pas ndarjes nga jeta të kolegut të tij, me të cilin kishte bashkëpunuar në filmin e vitit 1990 “The Hunt for Red October”. Megjithatë, mënyra se si u zhvillua mesazhi ngjalli reagime të shumta.
Në fillim të videos, Baldwin foli shkurt për vdekjen e Sam Neill, por më pas pjesën më të madhe të fjalës ia kushtoi kujtimeve të tij nga xhirimet e filmit. Ai rrëfeu eksperiencën në rolin e Jack Ryan, foli për regjisorin John McTiernan dhe ndau disa histori nga prapaskenat e produksionit.
Vetëm në minutat e fundit, aktori iu rikthye sërish Sam Neill, duke i shprehur respektin dhe duke u dërguar ngushëllime familjarëve të tij.
Videoja shkaktoi debat në rrjetet sociale, ku një pjesë e komentuesve e kritikuan Baldwin, duke thënë se ai “harroi se për kë ishte videoja” dhe se foli më shumë për karrierën e tij sesa për kolegun që po nderonte.
Megjithatë, jo të gjithë ndanë të njëjtin mendim. Disa përdorues e mbrojtën aktorin, duke argumentuar se ai thjesht po ndante kujtimet personale nga bashkëpunimi me Sam Neill dhe se kjo ishte mënyra e tij për ta nderuar.
Sam Neill, i cili u bë i famshëm në mbarë botën me rolet e tij në filma si “Jurassic Park”, ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe të vlerësuar në kinematografi.