Health & Beauty Lifestyle

Hepatiti A rikthehet fuqishëm, si përhapet virusi?

Një shpërthim i papritur i hepatitit A ka ngritur alarmin në Itali, ku vetëm gjatë muajit mars rreth 150 persona janë shtruar në spital në rajonin e Kampanias.

Sipas të dhënave, kjo përfaqëson një nivel përhapjeje dhjetë herë më të lartë se mesatarja e viteve të fundit, duke rikthyer në vëmendje një virus që shpesh konsiderohej i kontrolluar.

Hepatiti A është një inflamacion akut i mëlçisë i shkaktuar nga virusi HAV. Ndryshe nga format e tjera si hepatiti B dhe C, ky virus nuk bëhet kronik. Pasi organizmi e lufton, ai zhduket dhe krijohet imunitet i përhershëm.

Megjithatë, përhapja e tij është shumë e lehtë. Virusi transmetohet kryesisht përmes rrugës fekale-orale, që do të thotë se mjafton edhe një kontakt minimal me ushqim ose ujë të kontaminuar për t’u infektuar.

Në rastin e fundit në Itali, dyshohet se burimi mund të lidhet me konsumimin e ushqimeve të detit të kontaminuara.

Infeksioni mund të ndodhë edhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar, madje edhe kur ata nuk shfaqin simptoma. Kjo e bën virusin edhe më të rrezikshëm, pasi përhapet në heshtje.

Ndërkohë, hepatiti B dhe C dallojnë ndjeshëm, pasi transmetohen përmes gjakut dhe lëngjeve trupore dhe mund të zhvillohen në forma kronike, duke çuar në komplikacione serioze si cirroza apo kanceri i mëlçisë.

Autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e higjienës, kontrollit të ushqimit dhe vaksinimit në rastet e rekomanduara, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit.