Huawei ka prezantuar zyrtarisht sistemin më të ri për Inteligjencën Artificiale, “CloudMatrix 384”, gjatë konferencës WAIC në Shanghai. Pajisur me 384 çipe të avancuara 910C, ky sistem synon të rivalizojë GB200 NVL72-në e Nvidia-s — një nga platformat më të fuqishme të momentit në fushën e AI-së.
Sipas analizave të “SemiAnalysis”, Huawei mund të tejkalojë Nvidia-n në disa drejtime të performancës, falë teknologjisë “supernode”, e cila mundëson komunikim ultra të shpejtë midis çipeve brenda sistemit.
Pavarësisht kufizimeve të eksportit të teknologjisë nga SHBA, Huawei po konsolidohet si lider në tregun kinez të çipeve për AI.
CEO i Huawei Cloud konfirmoi se CloudMatrix 384 është tashmë funksional në platformën cloud të kompanisë. Gjatë prezantimit, kompania nuk dha detaje të mëtejshme.