Tech

Huawei prezanton laptopin e parë me sistemin e vet operativ!

Kompania kineze Huawei ka prezantuar laptopin e saj të parë me sistemin operativ të vet, HMOS (Harmony OS), i cili pritet të zëvendësojë së shpejti Windows-in në të gjitha pajisjet e kompanisë, si kompjuterë, tabletë, telefona dhe orë të mençura. Aktualisht, shumica e laptopëve Huawei në treg përdorin Windows-in, megjithëse disa modele ofrojnë edhe mundësinë e përdorimit të Linux-it me kod të hapur. Sistemi operativ i laptopit të ri është plotësisht i pavarur nga Android-i i Google-it dhe ka kufizime të rrepta për funksionet si fotografimi i ekranit.

Kur niveli i privatësisë është i vendosur në nivel të lartë, HMOS automatikisht bllokon qasjen në kamerë, mikrofon dhe vendndodhje, ndërsa enkriptimi i plotë i diskut siguron që askush të mos ketë qasje në informacionet pa e zhbllokuar ekranin. Laptopi i ri vjen me inteligjencën artificiale të Huaweit, Celia, e cila është e aftë të kryejë detyra si krijimi i prezantimeve, përmbledhja e procesverbaleve të mbledhjeve dhe marrja e informacionit nga dokumentet lokale.

Sipas mediave kineze, Huawei planifikon ta prezantojë zyrtarisht laptopin e ri më 19 maj. Përparimi që ka arritur Huawei në zhvillimin e sistemit të vet operativ pasqyron qëndrueshmërinë e Kinës përballë kufizimeve teknologjike të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Huawei Technologies e Kinës po përgatitet të testojë procesorin e saj më të ri dhe më të fuqishëm të Inteligjencës Artificiale (IA). Me këtë, ajo shpreson të zëvendësojë disa produkte të nivelit të lartë të gjigantit amerikan të çipave Nvidia.

Huawei u është drejtuar disa kompanive kineze të teknologjisë për të testuar fizibilitetin teknik të çipit të ri, të quajtur Ascend 910D. Kompania kineze shpreson që versioni më i fundit i procesorëve të saj Ascend AI do të jetë më i fuqishëm se H100 i Nvidia me bazë në Kaliforni, dhe pritet të marrë grupin e parë të mostrave të procesorit që në fund të majit.