Aktualitet

Hyri për të vjedhur një banesë, arrestohet në flagrancë në Lushnjë!

Policia e Lushnjës parandaloi të dytën vjedhje në banesë gjatë 24 orëve të fundit, duke vënë në pranga një 43-vjeçar. Pas njoftimit se një shtetas po tentonte të grabiste në një shtëpi në qytet, efektivët shkuan në adresën e dhënë, duke arrestuar të dyshuarin.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas njoftimit se një shtetas po tentonte të vidhte në një banesë në qytet, organizuan punën dhe shkuan në adresën e dhënë. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u arrestua në flagrancë, në këtë banesë, autori, shtetasi J.P., 43 vjeç. Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 43-vjeçari. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Më herët, policia zbardhi dy raste vjedhjesh në fshatin Qerret të Kavajës, dy persona ranë në pranga. Mes të arrestuarve është një 29 vjeçar nga Elbasani, në kërkim për vjedhje me dhunë, si dhe një 46 vjeçar nga Durrësi, i cili e kishte strehuar në banesën e tij ditët e fundit. Në Qerret u dokumentuan vjedhje në një banesë e në një automjet.

Policia e Kavajës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Precedenti”, duke zbardhur dy raste vjedhjeje të ndodhura në një fshat të Kavajës dhe vënë në pranga dy autorët e dyshuar.

Në kuadër të hetimeve për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të vjedhjeve, u arrestuan shtetasit N. L., 29 vjeç, banues në Elbasan, dhe G.Gj., 46 vjeç, banues në Durrës. Dyshohet se ata kanë bashkëpunuar për të vjedhur shuma parash në një banesë dhe në një automjet në fshatin Qerret, Kavajë.

Sipas hetimeve, N.L., me precedent të theksuar penal në fushën e vjedhjeve, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit, pasi ishte larguar në dhjetor 2024 nga ambientet e Komisariatit ku ishte shoqëruar për një vjedhje me dhunë. Dyshohet se gjatë ditëve të fundit ai ishte strehuar në banesën e bashkëpunëtorit të tij, G.Gj.

Gjatë operacionit janë sekuestruar një shumë parash, një automjet, tre celularë dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve. Hetimet vijojnë për të dokumentuar ngjarje të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.