I dyshuari për të shtënat në një ceremoni në Uashington, ku do të fliste edhe presidenti amerikan më 25 prill, Donald Trump, u akuzua për tentativë për atentat, si dhe për një komplot më të gjerë që synonte zyrtarë të lartë qeveritarë.
Prokurorja federale për Distriktin e Kolumbias, Jeanine Pirro, i bëri publike akuzat në një konferencë për media, dy ditë pas sulmit në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Cole Tomas Allen, pritet të përballet edhe me akuza të tjera, teksa hetimet vazhdojnë.
Janë vetëm tri akuza të përfshira në kallëzim… do të ketë akuza të tjera, ndërsa zhvillohen hetime.
Por, të mos ketë asnjë dyshim, kjo ishte një tentativë për atentat ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Më 25 prill, Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, hapi zjarr me një armë gjahu ndaj personelit të sigurisë, duke shkaktuar panik, ndërsa presidenti Trump dhe zonja e parë, Melania Trump, u evakuan me shpejtësi nga një sallë pranë. Nuk pati të lënduar.
Zyrtarët thanë se një pjesëtar i sigurisë u qëllua, teksa Allen tentoi të kalonte një pikë kontrolli, por nuk pësoi lëndime serioze, pasi mbante jelek antiplumb.
Sipas prokurores Pirro, hetuesit besojnë se ai synonte të “qëllonte sa më shumë zyrtarë të lartë”.
Në të njëjtën konferencë, ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Todd Blanche, tha se autoritetet kanë siguruar një manifest, që i dyshuari besohet se ua kishte dërguar familjarëve.
Sipas tij, është e qartë se objektivi kryesor ishte presidenti Trump, ndërsa motivet e tjera po hetohen nga FBI-ja dhe agjencitë e rendit.
Referuar dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Allen kishte rezervuar më 6 prill një dhomë në hotelin ku mbahej darka dhe udhëtoi nga Kalifornia drejt Uashingtonit me tren.
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu, ishte i pranishëm në ceremoni, kur u regjistruan të shtënat.
Ishte tronditëse. Të gjithë po kërkonin mundësi strehimi. Padyshim, disa filluan të fshiheshin menjëherë nën tavolinë.
Gazetarët menjëherë filluan të dokumentonin, duke kërkuar informacione. Papritur u shfaq Shërbimi Sekret dhe e shoqëroi presidentin jashtë.