Irani mund të rifillojë pasurimin e uraniumit brenda disa muajsh, pavarësisht pretendimeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump se programi bërthamor i Iranit është penguar prej vitesh, siç deklaroi kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi.
Aftësitë që ata kanë janë aty. Ata mund të kenë, brenda pak muajsh do të thoja, disa kaskada centrifugash që rrotullohen dhe prodhojnë uranium të pasuruar, theksoi Grossi në një intervistë.
Shkalla e dëmit të shkaktuar nga sulmet e javës së kaluar të SHBA-ve në tre objekte bërthamore iraniane mbetet e paqartë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pati pranuar se sulmet kishin shkaktuar dëme “të konsiderueshme në infrastrukturën bërthamore të vendit”. Ndërkohë, Trump ka argumentuar se sulmet e tyre e kanë penguar programin e armëve bërthamore të Iranit, me vite.
Por, në intervistën e regjistruar para dy ditëve, Grossi i tha CBS-it se “sinqerisht, nuk mund të thuash se gjithçka është zhdukur dhe nuk ka mbetur asgjë”.
Ai deklaroi se IAEA ishte kryesisht e interesuar në gjetjen e uraniumit të pasuruar në Iran, duke vënë në dukje se agjencia kishte vite që pyeste veten pse kishte gjetur gjurmë të uraniumit të pasuruar në vende të ndryshme.
Republika Islamike u sulmua nga Izraeli më 13 qershor e në vijim, deri në arritjen e armëpushimit. Ushtria izraelite goditi edhe burgun famëkeq Evin të Teheranit në fillim të kësaj jave e ku vrau të paktën 71 persona, siç deklaroi një zyrtar iranian.
Prej dekadash, burgu Evin është njohur si një vend i abuzimeve serioze të të drejtave të njeriut kundër disidentëve politikë. Forcat ajrore izraelite e bombarduan të hënën e 23 qershorit, në atë që e quajtën një “goditje simbolike ndaj qeverisë iraniane”.
Aktivistët iranianë e dënuan sulmin, duke thënë se “rrezikoi jetën e të burgosurve politikë”. Objektet në pjesën administrative të ndërtesës thuhet se u shkatërruan. Pati njoftime se të paraburgosurit u transferuan në qendra të tjera paraburgimi pas sulmit, në kushte të përshkruara si edhe më të këqija.