Apple po përgatitet të prezantojë iPhone Fold, telefonin e saj të parë me ekran të palosshëm, që pritet të debutojë në vjeshtën e vitit 2026. Sipas burimeve nga 9to5mac dhe Digital Chat Station, pajisja është ende në fazë testimi, por disa karakteristika tashmë janë zbuluar. Ekrani i brendshëm do të jetë 7.58 inç, pak më i vogël se sa ishte parashikuar më parë. Telefoni do të ketë dy kamera prej 48 MP secila, ndoshta një lente të gjerë dhe një ultra të gjerë ose telefoto.
Trupi do të jetë prej titani dhe përmasat e tij janë të krahasueshme me një iPad mini, duke e bërë më të lehtë për përdorim me një dorë kur është i palosur. Synimi i Apple duket të jetë jo vetëm inovacioni, por edhe sfidimi i rivalëve si Samsung. Nëse përforcimi i mekanizmit të palosjes rezulton i suksesshëm, iPhone Fold mund të revolucionarizojë tregun e smartfonëve.
Apple pritet të lançojë telefonin e parë të palosshëm në vitin 2026, sipas parashikimeve të analistit të njohur Ming-Chi Kuo. Sipas mediave të huaja, kompania ka porositur midis 15 dhe 20 milionë njësi, duke pritur që kërkesa të shtrihet gjatë 2-3 viteve të para të prodhimit. Telefoni, i koduar “V68”, do të ketë një teknologji të avancuar që synon të shmangë shenjat e palosjes. Ekrani do të prodhohet nga Samsung Display, një bashkëpunëtor i gjatë i Apple. Megjithatë, ajo çfarë pritet të jetë sfiduese është fakti se çmimi pritet të jetë shumë i lartë, rreth 2,000 deri në 2,500 dollarë.