Bota

Irani mohon bisedimet me SHBA-të!

Irani deklaroi se nuk janë planifikuar bisedime me Shtetet e Bashkuara në ditët në vijim, edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Teherani “ka kërkuar takim” dhe se negociatat do të zhvillohen më 30 qershor në Katar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, tha se një ekip teknik iranian do të udhëtojë këtë javë në Doha, por se vizita nuk ka asnjë lidhje me zyrtarët amerikanë që do të jenë në Katar.

Nuk do të kemi negociata me palën amerikane në asnjë nivel gjatë ditëve në vijim. Fakti që përfaqësuesit amerikanë po udhëtojnë drejt Katarit, nuk ka asnjë lidhje me vizitën e delegacionit iranian, u shpreh Baqaei.

Ai i bëri komentet pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen sulme gjatë fundjavës, duke rritur sërish tensionet mes dy vendeve.

Më herët, më 29 qershor, Trump shkroi në rrjetin Truth Social se “Irani ka kërkuar takim” dhe se ai “do të zhvillohet nesër në Doha”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se të dërguarit e presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të udhëtojnë në Doha për bisedime me Iranin.

I dërguari i posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të udhëtojnë këtë javë drejt Dohës për takime të nivelit të lartë, ndërsa vazhdojmë diskutimet për memorandumin e mirëkuptimit. Krahas këtyre takimeve do të zhvillohen edhe bisedime në nivel teknik.