Protestat kundër kostos së lartë të jetesës vazhdojnë prej javësh, duke nxjerrë qindra mijëra njerëz në rrugë, në të gjithë Iranin. Megjithatë, për ditë të tëra ka qenë pothuajse e pamundur të kuptohet se çfarë po ndodh, pasi Teherani zyrtar vendosi të mbyllë internetin në të gjithë vendin, për të parandaluar çdo komunikim me botën e jashtme.
Shtypja e përgjakshme vazhdon në rrugë. Mbrëmjen e së martës, më 13 janar, autoritetet qeveritare pranuan vdekjen e mbi 2,500 personave. Sipas stacionit televiziv disident, Iran International, numri i viktimave tejkalon 12 mijë.
Ndërkohë, pas lajmit për ndalimin e vrasjeve të protestuesve dhe ekzekutimet e të arrestuarve, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump njoftoi:
Ne do ta monitorojmë situatën dhe do ta verifikojmë.
Pavarësisht kësaj, tensionet midis qeverive iraniane dhe amerikane mbeten të larta. Për më tepër, Shtëpia e Bardhë, që mbështet hapur përpjekjet e popullit iranian kundër Ajatollahut Ali Khamanei, për ditë të tëra ka urdhëruar evakuimin e një pjese të personelit ushtarak amerikan që është stacionuar në Katar.
Ndërkaq, u shty ekzekutimi i Erfan Soltanit, protestuesit 26-vjeçar iranian, simbol i protestave. Ndërkaq, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi siguroi se sot “nuk do të ketë varje”.
Irani rihapi hapësirën ajrore pas një mbylljeje gati pesë-orëshe, që i detyroi linjat ajrore të anulonin, të ndryshonin itinerarin ose të vononin disa fluturime. Sipas shërbimit të gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, njoftimi për mbyllje është hequr. Linjat ajrore iraniane Mahan Air, Yazd Airways dhe Ava Airlines, tashmë kanë rinisur fluturimet drejt vendit.