Presidenti amerikan, Donald Trump tha se negociatorët e Iranit sugjeruan që ata “mund të vijnë në Shtëpinë e Bardhë” për të negociuar, megjithëse tha se ishte e vështirë.
Ai tha gjithashtu se nuk është i sigurt se “sa kohë” do të zgjasë konflikti, pasi mbrojtja ajrore iraniane është shkatërruar.
“Dy fjalë shumë të thjeshta: Dorëzim pa kushte. Është kaq e thjeshtë”, tha presidenti.
Ai gjithashtu shtoi se beson që iranianët kanë “qëllime të këqija” me programin bërthamor.
Trump tha se i do iranianët dhe ka takuar shumë të tillë në karrierën e tij.
Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, mbajti sot një fjalim adresuar qytetarëve iranianë lidhur me konfliktin e vendit me Izraelin.
Në deklaratën e tij Khamenei tha se Izraeli ka bërë një “gabim të madh”, duke premtuar se do të “ndëshkohet për veprimet ndaj Iranit”.
Udhëheqësi suprem i Iranit theksoi se populli nuk do ta harrojë gjakun e “martirëve” dhe sulmin në territorin e tyre.
Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi reagimin e palëkundur, të guximshëm dhe të qëndrueshëm të kombit iranian ndaj rastit të fundit të “agresionit dashakeq të armikut sionist”, siç tha ai.
Ai gjithashtu paralajmëroi se “çdo ndërhyrje ushtarake nga SHBA-të padyshim do të shkaktojë dëme të pariparueshme”, duke dënuar “deklaratat kërcënuese” sipas tij të Donald Trump.