Britney Spears ka vendosur të mbrojë Justin Bieber pasi ai u kritikua për përfshirjen e fotove me të birin në promovimin e albumit “Swag II”. Pas disa fotove që Bieber ndau me rastin e publikimit të albumit, duke mbajtur në krahë djalin e tij Jack Blues Bieber ndërsa ai ishte përballë kamerës, pasuan një sërë reagimesh negative. Spears vendosi të rishpërndajë një nga fotot e Justin, me mbishkrimin: “Turp për ata që e gjykuan. Jam e dashuruar me këtë foto, është kaq e bukur”.
Justin ndan rregullisht foto të të birit në rrjetet sociale, pa treguar fytyrën. Së fundmi, ndau edhe një postim me të birin, duke treguar se si kalojnë një kohë të këndshme së bashku në një kajak mbi ujë.
Postimi i Britney Spears erdhi gjithashtu menjëherë pasi u shpreh për martesën me Sam Asghari në një postim muajin e kaluar. “Jemi thjesht njerëz, kaq të brishtë, vitet më të vështira të jetës sime ishin kur dy djemtë e mi u larguan për tre vjet”, ka thënë ajo.
“Unë dhe Sam ishim të martuar, por e gjitha më dukej si një shpërqendrim i rremë që më ndihmoi të përballoja problemin”, kishte deklaruar ndër tjerash.
Britney Spears shpjegoi në librin e saj “The Woman in Me” pse iu prezantua publikut si e virgjër kur fitoi famë. Ajo shkroi se kur filloi karriera e saj, ekspertët e PR donin që ajo të prezantohej në një mënyrë specifike, gjë për të cilën ajo fillimisht pranoi. “E vërteta është se, nëse je e re dhe beqare në Hollywood dhe fillojnë të qarkullojnë thashetheme se ke bërë seks, menjëherë etiketohesh si kur*ë, kështu që ekipi im krijoi të gjithë këtë histori për mua”-tha ajo.