Një gjykatë në Korenë e Jugut e dënoi ish-presidentin, Yoon Suk Yeol, me burgim të përjetshëm, pasi e gjeti fajtor për udhëheqjen e një kryengritjeje kur shpalli gjendje lufte më 2024-ën.
Yoon papritur shpalli gjendje lufte gjatë një fjalimi televiziv dhjetorin e vitit 2024, duke thënë se masat drastike ishin të nevojshme për të çrrënjosur “forcat antishtetërore” në Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut.
Konservatori i linjës së ashpër, Yoon, 65 vjeç, më vonë u ndoq penalisht, u arrestua dhe u akuzua për krime të ndryshme, përfshirë për kryengritje e pengim të drejtësisë.
Gjykatësi kryesor, Ji Gwi-yeon, tha se Yoon dërgoi trupa në ndërtesën e Asamblesë, në përpjekje për të heshtur kundërshtarët politikë të cilët kishin penguar përpjekjet e tij për të qeverisur.
Gjykata gjen se qëllimi ishte që të paralizohej Asambleja për një periudhë të konsiderueshme, tha Ji në Gjykatën e Qarkut Qendror të Seulit. Shpallja e gjendjes së luftës rezultoi me pasoja të mëdha sociale dhe është e vështirë që të gjendet ndonjë tregues se i pandehuri ka shprehur keqardhje për këtë gjë. Ne e dënojmë Yoonin me burgim të përjetshëm.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Kim Yong-hyun, u dënua me 30 vjet burg për rolin e tij në këtë krizë. Prokurorët kërkuan dënimin më të ashpër për akuzën për kryengritje ndaj Yoonit dhe në seancat dëgjimore në janar kërkuan që të dënohej me vdekje.
Koreja e Jugut ka një moratorium jozyrtar për dënimin kapital. Të burgosurit e fundit janë ekzekutuar më 1997-ë, ndaj një dënim me vdekje, efektivisht e lë Yoonin përjetë pas hekurave.
Mijëra mbështetës u mblodhën jashtë ndërtesës së gjykatës para vendimit, duke mbajtur slogane të tilla si “Yoon Madhështor Sërish” ose “Hidhni poshtë akuzat kundër presidentit Yoon”.
Turmat brohoritën kur makina e burgut e transportoi ish-presidentin për në gjykatë. Pranë institucionit u dislokuan forca të sigurisë për të shtypur çdo trazirë.
Yoon u dënua edhe me pesë vjet burg për akuza të tjera, ndërsa zyrtarë të tjerë të lartë u dënuan po ashtu me dënime të ashpra me burg.