Marina e Izraelit sot goditi portin Hodeidah të Jemenit në Detin e Kuq. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, kërcënoi rebelët Huthi me bllokadë detare e ajrore, nëse vazhdojnë sulmet ndaj Izraelit. Televizioni Al Masirah i kontrolluar nga Huthët, raportoi se shteti hebraik kreu dy sulme ndaj dokeve të portit Hodeidah.
Në një komunikatë, ushtria izraelite bëri të ditur se marina e saj goditi shënjestrat e Huthëve, duke shtuar se porti përdoret nga rebelët për të transportuar armë. Nuk është raportuar për viktima deri më tani.
Sulmet ndodhën pasi dje ushtria izraelite iu bëri thirrje njerëzve të largohen nga portet e kontrolluara nga Huthit në Ras Isa, Hodeidah e Salif.
Ne paralajmëruam organizatën terroriste Huthi se nëse vazhdon të qëllojë me armë drejt Izraelit do të përballen me një përgjigje të fuqishme dhe do t’i nënshtrohen një bllokade detare e ajrore, vuri në dukje Katz në X.
Që nga fillimi i luftës në Gazë në tetor të vitit 2023, rebelët Huthi, aleatë të Iranit kanë kryer sulme ndaj Izraelit dhe anijeve në Detin e Kuq, duke penguar tregtinë globale. Ata thonë se e bëjnë këtë në shenjë solidariteti me palestinezët.
Shumica e dhjetëra raketave e dronëve të lëshuar drejt Izraelit janë shkatërruar ose rrëzuar para se t’i arrinin shënjestrat. Izraeli ka kryer një sërë sulmesh hakmarrëse ndaj Huthit.
Izraeli ka dobësuar ndjeshëm aleatë e tjerë të Iranit në rajon, si Hezbollahun e Libanit dhe grupin palestinez Hamas, i cili është i shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian. Ndërkohë, rebelët Huthi të mbështetur nga Teherani dhe grupet e armatosura proiraniane në Irak, ende mbeten aktivë.