Aktualitet Travel

Ja kush e mbajti turizmin në janar-shkurt/Po gjermanët dhe francezët?

Dy muajt e parë të vitit shënuan një nisje jo shumë të mbarë për turizmin ku për janarin pati një tkurrje me 1.5% të të huajve dhe për shkurtin, një rritje të papërfillshme. Tur-operatorët nënvizuan se shkak për këtë kryesisht ka qenë moti i paqëndrueshëm, por jo të gjithë grupet janë ndikuar nga kjo.

Sipas shteteve, të dhënat e vizitorëve tregojnë se shqiptarët e Kosovës, që mbajnë edhe 41.4% të totalit, shënuan rritje në 2 muajt e parë të vitit me rreth 2.5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, italianët vijojnë të jenë grupi me rritjen më të lartë në raport edhe më peshën që kanë në totalin e turizmit në vend. Konkretisht, kjo rritje ishte 11.7% për 2-mujorin 2026. Italianët mbajnë në total 13.2% të totalit duke qenë grupi i dytë më i madh.

Edhe hyrjet nga Greqia ku ashtu si Italia jetojnë një pjesë e mirë e emigrantëve kanë pasur rritje me 2.5%. Në total ishin mbi 93 mijë hyrje.

Gjermanët dhe francezët, që u rritën ndjeshëm vitin e kaluar, po na “braktisin”

Ndryshe nga këto grupe, duket se pjesa më e madhe e grupeve të tjera kanë pësuar rënie në këtë 2-mujor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Kështu për janar-shkurt në vend kanë hyrë 16.5 mijë shtetas gjermanë, me një rënie 5.5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në rënie ishin edhe francezët 13.9%.

Si gjermanët, ashtu dhe francezët ishin “risia” e 2025-ës, pasi shënuan rritje dyshifrore të të huajve, por kjo tendencë, të paktën për dy muajt e parë të vitit është përmbysur.

Edhe polakët hynë 4.8% më pak se i njëjti 2-mujor i një viti më parë.  Të tjera vende më tkurrje ishin edhe Kroacia, Zvicra, Holanda, Suedia, Çekia, Austria, Hungaria apo Sllovakia.

Pavarësisht këtyre treguesve të dy muajve të parë të vitit, turoperatorët nënvizojnë se ato nuk shënjojnë ecurinë e plotë që do të ketë viti.

Ata presin që me gjallërimin e tureve kulturore që vjen si efekt i ngrohjes së motit numri i vizitorëve t’i kthehet trendit rritës. Pritshmëria është që ky vit të ketë të njëjtën rritje që kishte 2025-a kur u regjistruan 12.4 milion hyrje.

Turizmi i organizuar, që është një segment i rëndësishëm, pret që fluturimet e para për sezonin veror t’i ketë në fund të majit për zonën e Golemit dhe qershorit për Vlorën, por për këtë të fundit, dilemë mbetet hapja e aeroportit për të cilin ende nuk ka një datë./Monitor