Shprehja e zemërimit në momentin kur jemi të irrituar shpesh duket plotësisht logjike. Besohet zakonisht se në këtë mënyrë çlirohemi nga tensioni i akumuluar. Studiuesit nga Universiteti Shtetëror i Ohajos analizuan 154 studime mbi zemërimin dhe gjetën pak prova që shfryrja e zemërimit ndihmon. Në disa raste, madje mund ta rrisë zemërimin. “Besoj se është shumë e rëndësishme të thyejmë mitin se nëse jeni të zemëruar, duhet ‘të shfryni’, të nxirrni gjithçka nga kraharori,” tha autori kryesor, shkencëtari i komunikimit Brad Bushman. Ai thekson se shfryrja e zemërimit mund të tingëllojë si ide e mirë, por nuk ka asnjë provë shkencore që ta mbështesë teorinë e katarsisit.
Kjo nuk do të thotë që zemërimi duhet të shpërfillet. Të reflektosh mund të ndihmojë të kuptosh pse je i zemëruar dhe të merresh me problemin themelor. Mund të ndihmojë edhe në validimin emocional, një hap i rëndësishëm drejt përpunimit të shëndetshëm të emocioneve. Megjithatë, shfryrja e zemërimit shpesh shkon përtej reflektimit. Studimi tregon se shumë njerëz përpiqen ta shfryjnë zemërimin përmes aktiviteteve fizike, të cilat mund të kenë përfitime shëndetësore, por nuk ju qetësojnë domosdoshmërisht në atë moment.
Studimet e rishikuara përfshinin gjithsej 10.189 pjesëmarrës nga moshat, gjinitë, kulturat dhe grupet etnike të ndryshme. Rezultatet tregojnë se çelësi për të ulur zemërimin është zvogëlimi i ngacmimit fiziologjik, thonë autorët, qoftë nga vetë zemërimi, qoftë nga aktivitetet fizike që ai mund të frymëzojë. “Për të ulur zemërimin, është më mirë të angazhoheni në aktivitete që ulin nivelin e ngacmimit”, tha Bushman.
Studimi u frymëzua pjesërisht nga popullariteti i “dhomave të zemërimit”, ku njerëzit paguajnë për të thyer sende, duke besuar se kështu çlirojnë nervozizmin, shpjegoi autorja e parë Sophie Kjervik, shkencëtare e komunikimit në Universitetin Virginia Commonwealth. “Desha të zbuloja të gjithë teorinë e shfryrjes së zemërimit si mënyrë përballjeje,” tha Kjervik, duke shtuar se qëllimi ishte të tregohej se ulja e ngacmimit, sidomos atij fiziologjik është me të vërtetë thelbësore.
Ekipi e bazoi rishikimin në teorinë dypërbërëse Schachter-Singer, e cila e përshkruan zemërimin (dhe emocionet e tjera) si një fenomen me dy komponentë; atë fiziologjik dhe atë kognitiv. Studimi analizoi aktivitete që rrisin dhe ulin ngacmimin, nga boksi, çiklizmi dhe vrapimi deri te frymëmarrja e thellë, meditimi dhe joga. “Ishte vërtet interesante të shihje se relaksimi progresiv i muskujve dhe relaksimi i thjeshtë mund të jenë po aq efektivë sa qasjet si meditimi”, tha Kjervik. Aktivitetet që ulin ngacmimin përfshinin jogën, relaksimin progresiv të muskujve dhe frymëmarrjen diafragmale.
Ajo shtoi se “edhe joga, e cila mund të jetë më stimuluese se meditimi, sërish ndihmon në qetësim dhe fokusim te fryma, duke pasur një efekt të ngjashëm në uljen e zemërimit”. Në vend të përpjekjes për të shprehur zemërimin, studiuesit rekomandojnë që ai të “shterohet” duke ulur ‘temperaturën’. Teknikat e qetësimit që dihet se ulin stresin mund t’i heqin zemërimit ‘karburantin’ e tij fiziologjik.