Zara McDermott ka bërë një rrëfim të hapur dhe emocional, duke zbuluar se ka vendosur të heqë mbushjen (filler) nga nofulla, një vendim që e ka shtyrë të reflektojë thellë mbi pasiguritë që ka pasur në të kaluarën dhe presionin e standardeve të bukurisë.
Ylli televiziv 29-vjeçar tregoi në vlog-un e saj më të fundit në YouTube se ndjen trishtim sa herë që sheh pamjet e saj nga vitet e hershme, duke pranuar se në atë kohë nuk ndihej mjaftueshëm “brenda” standardeve të bukurisë.
Ajo u bëri thirrje ndjekësve që të gjejnë mënyra për ta dashur veten natyrshëm, pa u ndjerë të detyruar të ndryshojnë pamjen e tyre.
Zara rrëfeu se filloi të bënte filler në nofull që në moshën 20–21 vjeç, pa pasur njohuri të mjaftueshme për efektet afatgjata.
Sipas saj, gjithçka nisi si një “balancim profili”, por me kalimin e viteve u kthye në një cikël të vazhdueshëm mbushjesh.
Problemi është se filler-i nuk zhduket nga fytyra aq shpejt sa mendon. Përfundova me shumë volum dhe sot jam pa asnjë filler në nofull. Madje kisha harruar si ndihej fytyra ime natyrale
-tha ajo.
McDermott pranoi se ndërhyrjet estetike nuk “u plakën mirë” me kalimin e kohës dhe se fytyra e saj ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me fillimin e të 20-ave.
Ajo theksoi se është thelbësore të dashurosh veten përpara se të kërkosh ta “rregullosh” atë artificialisht.
Jam e trishtuar që kam ndjerë nevojën të ndryshoja veten për t’iu përshtatur dikujt tjetër. Nëse nuk e do dhe nuk e pranon veten, asnjë ndërhyrje nuk do të të mjaftojë
-u shpreh ajo.

Zara këshilloi të rinjtë të mos nxitojnë drejt ndërhyrjeve estetike përpara se fytyra të jetë plotësisht e maturuar, duke shtuar se në moshë të re pasiguritë janë më të forta dhe vendimet shpesh impulsive.
Edhe pse theksoi se nuk gjykon askënd për zgjedhjet personale mbi trupin apo fytyrën, ajo tha se ndjeu frikë kur kuptoi se nuk e mbante mend më pamjen e saj pa filler.
Pikërisht për këtë arsye, vendosi ta ndajë këtë histori publikisht, me shpresën se mund të ndihmojë dikë të mendohet dy herë para se të bëjë ndryshime për arsye të gabuara.
Së fundmi, Zara ka ndarë edhe disa foto nga një dekadë më parë, si pjesë e trendit viral “2026 është 2016”, duke rikujtuar një periudhë më të pafajshme të rrjeteve sociale dhe duke treguar sa shumë ka ndryshuar, jo vetëm pamja e saj, por edhe mënyra si e sheh veten.