Edhe pse Jeff Bezos dhe e fejuara e tij Lauren Sánchez u panë duke shijuar një festë me shkumë në Kroaci, përgatitjet për dasmën e tyre luksoze në Venecia po përballen me pengesa.
Sipas mediave italiane, organizatorët janë detyruar të ndryshojnë një nga vendet kryesore ku do të mbahej darka festive. Fillimisht ishte planifikuar që festa të mbahej në “Scuola Grande della Misericordia, por për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe protestave të banorëve, vendi është zhvendosur në zonën Arsenale, e cila është më e lehtë për t’u mbikëqyrur.
Banorët vendas janë shprehur të pakënaqur për shkak të ndikimit që do të ketë ngjarja në qytet, duke e cilësuar si një “pushtim” nga miliarderët dhe të ftuarit e tyre. Protestat tashmë kanë nisur: aktivistë të Greenpeace shpalosën një banderolë në Sheshin e Shën Markut me fytyrën e Bezos dhe mesazhin:
Nëse mund të marrësh me qira Venecian për dasmën tënde, mund të paguash më shumë taksa.

Grupi britanik “Everybody Hates Elon” u bashkua me protestën, duke theksuar se dasma është një shembull i pabarazisë sociale dhe mjedisore.
Stili i jetesës së miliarderëve si Bezos po kontribuon në shkatërrimin e planetit, ndërsa të tjerë vuajnë pasojat e krizës klimatike çdo ditë
-tha një nga aktivistët.
Përveç protestave, autoritetet italiane po marrin parasysh edhe faktorë të tjerë të ndjeshëm, si tensionet globale mes ShBA-së dhe Iranit, duke qenë se baza ajrore amerikane në Aviano ndodhet rreth 80 kilometra larg Venecias.
Një takim i posaçëm mes policisë, organizatorëve dhe autoriteteve vendore pritet të mbahet për të garantuar mbarëvajtjen e ngjarjes.
Megjithatë, përfaqësues të qytetit janë shprehur pozitivë. Simone Venturini, nga bordi turistik i Venecias, deklaroi për “MailOnline”:
Venecia ndjehet e nderuar që pret një dasmë të tillë. Kjo tregon atraktivitetin dhe aftësinë e qytetit për të organizuar ngjarje të mëdha me profesionalizëm.
Ai gjithashtu falënderoi çiftin për donacionet e tyre në mbështetje të projekteve për ruajtjen e qytetit lagunar.