Jeff Bezos dhe bashkëshortja e tij, Lauren Sanchez, kanë paraqitur një padi në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, duke kërkuar nga Michael Sanchez, vëllai i ish-gazetares, një shumë prej 190,556 dollarësh.
Sipas dokumenteve gjyqësore, çifti kërkon 182,374 dollarë për tarifat e avokatëve dhe 8,182 dollarë për shpenzime të tjera ligjore. Ata pretendojnë se këto shuma lidhen me një mocion të suksesshëm për rrëzimin e një çështjeje të konsideruar të pabazë, si dhe me një kërkesë të vazhdueshme për mbulimin e kostove gjyqësore.
Konflikti mes palëve nisi në vitin 2019, pas divorcit të Bezos nga MacKenzie Scott dhe publikimit të lidhjes së tij me Sanchez. Çështja mori jehonë të gjerë pasi tabloidi National Enquirer kërcënoi të publikonte materiale personale, ndërsa vetë Bezos pranoi ekzistencën e fotove delikate.
Michael Sanchez ka mohuar publikimin e “fotove të pahijshme”, por ka pranuar se ka ndarë informacion tjetër me mediat.
Sipas New York Times, ai kishte një marrëveshje konfidencialiteti me kompaninë American Media, që zotëron National Enquirer, lidhur me informacionin dhe provat që konfirmonin marrëdhënien Bezos-Sanchez.
Në vitin 2020, Michael Sanchez e paditi Bezos për shpifje, por gjykata në Los Angeles vendosi në favor të themeluesit të Amazon.
Një vit më vonë, Bezos fitoi 218,385 dollarë në shpenzime ligjore, por përplasja ligjore mes tyre vijon. Sanchez, nga ana e tij, nuk tërhiqet nga akuzat, duke e quajtur çiftin “gënjeshtarë” dhe sistemin gjyqësor “të korruptuar”.