Sport

Jehona e artikullit të “The Guardian” për “Hirushen” Kosovë të futbollit!

Arritjet e Kosovës në fushën e futbollit kanë ndihmuar “dardanët” që të njihen në të gjithë botën. Në Angli, historinë e të besuarve të Fodës e konsiderojnë si “përrallë” dhe artikulli i “The Guardian” po bën jehonë.

E ndihmuar nga një “udhërrëfyes” si Elbasan Rashani, në një reportazh, vlerëson formacionin “dardan” për lojën e treguar në Bratislavë, si edhe grintën e madhe të lojtarëve. Gazeta e njohur britanike thekson se arritjet e mëdha në fushë marrin edhe më shumë vlerë nëse shikohet numri i vogël i popullësisë së vendit.

Kosova e vogël është vetëm një ndeshje larg pjesëmarrjes së saj të parë në finalet e një Botërori. Vendi i është caktuar tashmë, pasi nëse kalon Turqinë do të jetë pjesë e Grupit D, me Australinë, Paraguain e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruhet në artikull.

Një tjetër aspekt i prekur nga “The Guardian” është edhe historia e vështirë e shtetit më të ri të Ballkanit.

Në atë vend, konflikti nuk harrohet lehtë. Jo shumë larg stadiumit ku do të luhet ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë, NATO bombardoi rajonin e Policisë në vitet e luftës 1998-99. Në veri, ende mbizotëron tensioni me fqinjen, Serbinë.

Për një vend si Kosova, futbolli është diçka më shumë.

Ne jemi bërë simboli i shprehjes se gjithçka është e mundur, tregon për “The Guardian”, sulmuesi i krahut i Melbourne City-t, Elbasan Rashani. Ne u kemi treguar njerëzve në Kosovë se ka edhe rrugë të tjera për të na njohur si shtet, theksoi lojtari, i cili ka luajtur 29 ndeshje me Kosovën mes viteve 2016-2024.

Rashani ishte një “guidë” për “The Guardian”. Në artikull ai rrëfeu se vetëm pak vite më parë, Kombëtarja e re nisi gjithçka nga zero.

Mbaj mend komisarin teknik të parë të ekipit, Albert Bunjaki, i cili në atë kohë me makinën e tij personale bëri xhiron e Europës për të parë lojtarët nga afër. Ai na takoi, duke na bindur me projektin që kishte në mendje. Që në atë kohë, bëhej fjalë për diçka speciale.

I lindur në Suedi, Rashani u rrit në Norvegji pasi familja e tij u largua nga Kosova më 1992-shin, për shkak të luftës.