Jennifer Aniston ka befasuar ndjekësit duke ndarë një pasqyrë të rrallë nga jeta e saj private gjatë festave të fundvitit. Aktorja e famshme publikoi në Instagram disa fotografi nga Krishtlindjet, ku shfaqet për herë të rrallë krah partnerit të saj të ri, Jim Curtis.
Në imazhet e postuara më 25 dhjetor, Aniston shihet në ambientet e shtëpisë së saj, duke reflektuar një atmosferë të ngrohtë dhe intime. Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte një foto ku Curtis mban në krahë një foshnjë, detaj që ngjalli menjëherë kureshtjen dhe emocionin e fansave.
Seti i fotografive u shoqërua me një mesazh të shkurtër, por plot dashuri:
Ju dërgoj të gjithë dashurinë. Gëzuar festat!
-duke lënë të kuptohet se këtë sezon festiv aktorja po e shijon në një rreth të vogël dhe shumë personal.
Shfaqja e Aniston me partnerin e saj vjen pak kohë pasi ajo konfirmoi zyrtarisht lidhjen në fillim të nëntorit, përmes një fotografie romantike në rrjetet sociale.
Megjithatë, romanca e tyre ishte përfolur edhe më herët, pasi gjatë verës çifti u fotografua së bashku në një jaht pranë Mallorces, në Spanjë.
Postimi i fundit ka marrë mijëra reagime pozitive, me fansat që kanë vlerësuar sinqeritetin dhe qetësinë që Jennifer Aniston po reflekton në këtë fazë të re të jetës së saj. Mesa duket, Krishtlindjet e këtij viti për aktoren kanë qenë më romantike se kurrë.