Deklaratat e fundit të Jennifer Lopez, se “nuk ka qenë kurrë vërtet e dashur” në marrëdhëniet e saj, kanë ndezur një konflikt të ri me ish-burrin Ojani Noa, i cili ka reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje çështjen e famshme të “kasetës seksuale”.
Në një postim të gjatë në Instagram, Noa akuzon këngëtaren se ka ngritur padi të rreme dhe ka tentuar t’i shkatërrojë karrierën me pretendime se ai po planifikonte të publikonte materiale intime.
Gjithçka nisi pas një interviste të Lopez me Howard Stern, ku ajo tha se ndjehej e padashur në lidhjet e saj. Noa reagoi fillimisht me ironi, duke e akuzuar “për sjellje të papërmbajtshme”, ndërsa më pas publikoi një rrëfim të gjatë plot akuza të rënda.
Noa tregon se në vitin 2009 po përgatiste një dokumentar autobiografik, ku do të përdorte video private nga jeta në çift, por këmbëngul se “nuk ka ekzistuar kurrë një video intime”.
Sipas tij, Lopez nisi një padi 10 milionë dollarëshe duke pretenduar të kundërtën, akuza që ai i quan të sajuara.
Ai shpjegon se gjyqtari urdhëroi bllokimin e materialeve, por kur avokatët e Lopez i panë kasetat, pranuan se në to “nuk kishte asgjë skandaloze”.
Noah shkon edhe më tej, duke sulmuar publikisht nënën e Lopez dhe duke e akuzuar për insinuata raciste dhe absurde, mes tyre edhe pretendime për kamera të fshehta në shtëpi.
Madje, ai përmend edhe periudhën kur Lopez ishte në lidhje me Diddy, duke lënë të kuptohet se çdo material i dyshimtë “do të ishte nga ajo kohë, jo nga martesa e tyre”.
Në mbyllje, Noa akuzon ish-bashkëshorten se ka përdorur “gënjeshtra dhe akuza dashakeqe” për vite me radhë, duke pretenduar se ajo ka tentuar madje ta çojë në burg, ndonëse e dinte që kaseta “nuk ekzistonte”.
Përplasja vjen ndërkohë që Lopez përballet me kritika, thashetheme dhe diskutime rreth jetës së saj romantike, që vazhdojnë të ushqejnë titujt e showbizit.