Këngëtarja dhe aktorja e njohur Jennifer Lopez po përballet me një padi të re pasi ka postuar në rrjetet sociale disa foto të saj nga një festë në Hollywood, pa marrë leje nga fotografi dhe agjencia që zotëron të drejtat e autorit të tyre. Fotografitë janë realizuar nga Edwin Blanco, i cili punonte për agjencinë paparaci Backgrid, gjatë mbrëmjes së organizuar nga Amazon MGM Studios dhe Vanity Fair në Los Angeles, një natë para ndarjes së çmimeve Golden Globes në janar të këtij viti.
Lopez i ka shpërndarë imazhet në Instagram dhe X me mbishkrimin “GG Weekend Glamour”, ndërsa ato janë ripostuar më pas nga faqe të shumta. Në padi thuhet se përdorimi i fotove ishte “me natyrë komerciale, i destinuar për vetë-promovim”, përfshirë promovimin e stilistit të veshjes dhe bizhuterive që mbante. Sipas pretendimeve, ajo ka përdorur imazhet për të rritur angazhimin në rrjetet sociale dhe për të forcuar bashkëpunimet me markat që përfaqëson.
Fotografitë tregojnë Jennifer Lopez të veshur me një fustan të bardhë dhe një pallto të bardhë me gëzof të rremë, jashtë hotelit të famshëm Chateau Marmont. Paditësit kërkojnë deri në 150,000 dollarë dëmshpërblim për çdo foto, duke theksuar se të drejtat e autorit për imazhet u përkasin atyre dhe jo subjektit që shfaqet në to.
Katër muaj pas ndarjes nga Jennifer Lopez, aktori Ben Affleck ka dhënë një deklaratë interesante për mediat. Gjatë një interviste me TMZ, aktori u pyet nëse ende i pëlqejnë gratë latinoamerikane dhe përgjigjja e tij ishte e qartë: “Po, sigurisht”. Gjithashtu, kur u pyet në gjuhën spanjolle se si ndjehej që konsiderohej si “beqari më i dëshiruar i Hollywood-it”, Affleck u përgjigj shkurt: “Muy bien” (shqip: “Shumë mirë”).
Ben Affleck dhe Jennifer Lopez e zyrtarizuan ndarjen e tyre më 21 shkurt të këtij viti. Sipas dokumenteve gjyqësore, një gjykatës i Gjykatës së Lartë të Los Anxhelosit e kishte aprovuar kërkesën për divorc që më 6 janar, gjashtë muaj pasi këngëtarja kishte dorëzuar dokumentacionin për ndarje. Dyshja arritën marrëveshje përmes ndërmjetësimit në shtator, duke shmangur një proces të gjatë dhe të mundimshëm gjyqësor.