Julinda Dhame, Drejtoresha e Përgjithshme e Eventeve në Tiranë ishte sot me ne për të na futur pak në atë atmosferën e festave për të cilën të gjithë kemi nevojë. Megjithëse ajo personalisht nuk ka besuar kurrë tek Babagjyshi, sot na siguroi që të gjithë fëmijët e jo vetëm, do të ndiejnë magjinë e tij.
Ajo zbuloi disa detaje rreth oraganizimeve festive në Kryeqytet që këtë vit do të transmetohen vetëm online për shkak të situatës së pandemisë. Juli tha se mbrëmjen e Krishtlindjes, do të mbahet një koncert me këngë me të cilat kjo festë identifikohet.
Juli theksoi se këtë vit koncerti do të jetë pak më ‘funky’ duke e bërë atë më argëtues për fëmijët e vegjël. Këta të fundit do të mësojnë edhe çfarë është Krishtlindja. Gjithashtu, do të ketë performanca nga këngëtarë shumë të dashur të publikut ndër të cilët ajo përmendi Kamela Islamaj.
Sakaq, nuk do të mungojë një tjetër koncert natën e ndërrimit të viteve ku pamja që do të ofrohet pritet të jetë fantastike. Juli tha se 31 Dhjetori do të vijë me një koncert, skena e të cilës është menduar të ketë formën e pemës së Vitit të Ri ku çdo këngëtar që do të perfomojë do të qëndrojë në vend të yllit.
Ata do të kenë një temë falenderimi pasi në fund të ditës duhet të jemi falenderues për të mirat që kemi pavarësisht situatave të vështira me të cilat na përballi 2020-ta. Ndër artistët e shumtë që do të performojnë janë edhe; Era Rusi, vëllezërit korçarë, Orgesa Zaimi e shumë të tjerë.