Sport

Jurgen Uldedaj kampion bote! Triumfon ndaj boksierit kamerunas!

Jurgen Uldedaj ka triumfuar ndaj kampionit kamerunas Rolly Lambert Fogoum, duke u shpallur kampion bote në versionin IBO (International Boxing Organization).

LEXO EDHE:  Real Madrid-Barcelona, ja kë favorizojnë shifrat?

Fitorja në “O₂ Arena” të Londrës shënon një moment historik për sportin shqiptar, pasi Uldedaj bëhet boksieri i parë nga Shqipëria që fiton një titull botëror në boksin profesionist.

Ndeshja ishte e ashpër dhe e balancuar deri në fund, por shqiptari spikati me qetësinë, teknikën dhe përgatitjen e tij fizike, duke dominuar me raunde dhe fituar me meritë.

Ky sukses e ngjit Uldedajn në majat e boksit botëror dhe kurorëzon një rrugëtim të gjatë në arenat ndërkombëtare. I lindur në Shqipëri dhe i formuar si sportist në Gjermani e Angli, ai ka ndërtuar me përkushtim një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme, duke regjistruar deri tani 21 fitore, 12 prej të cilave me nokaut.

LEXO EDHE: Shorti i biletave për ndeshjen me Anglinë/ FSHF shpall fituesit, do të njoftohen me postë elektronike

Më parë, Uldedaj ka mbajtur tituj prestigjiozë si “WBO Youth”, “WBC Youth”, “IBF International”, “WBA Inter-Continental” dhe “IBO Mediterranean”. Edhe pse stërvitet mes Gjermanisë dhe Anglisë, ai vazhdon të përfaqësojë me krenari flamurin shqiptar.

Me këtë triumf në Londër, Uldedaj jo vetëm konsolidon pozitën e tij në elitën e boksit botëror, por vendos edhe një standard të ri për sportin shqiptar në arenën ndërkombëtare.