E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Anisa Peti, e cila është e njohur në rrjete sociale për recetat e çuditshme të bëra me kafe. Ajo ka zbuluar më shumë fakte lidhur mbi kafen që jo çdokush i di…
Një nga kafet që ti ke provuar është kafja me gjalp, si është?
E kam provuar së fundmi dhe ishte një vend që e kishte të zakonshme kafen me gjalp. Pihet për të të dhënë energji ose pihet në mëngjes për të të mbajtur pak më të ngopur. Por nuk sugjerohet, hani mëngjesin dhe pastaj pini kafen. Mua personalisht nuk më pëlqeu fare. Merr pak gjalp me lugë çaji, bën kafen, nëse i fut gjalpin brenda do shkrijë nga nxehtësia dhe thjesht e pi. Ndihej yndyra, jo shija e gjalpit, nuk ishte e mirë.
Ti ke provuar të bësh dhe kafe me vezë…
Kjo kafe me vezë pihet në veri të Vietnamit. Kjo pihej për të të dhënë energji dhe për të marrë vitaminat që ka veza. Mënyra si e bëra unë nuk është shumë e saktë, sepse ata kanë një si filtër që e vendosin sipër filxhanit të kafes dhe aty vendoset kafja që pikon pika-pika sipër vezës së rrahur brenda në filxhan. Sugjerohet të bëhet me qumësht të kondensuar, që unë nuk e bëra sepse nuk doja të shtoja kaloritë. Kështu, që duhet të jetë shumë e mirë me qumësht të kondensuar. Veza kishte vetëm të verdhën, sepse po kishte edhe të bardhën ajo mpikset nga nxehtësia e kafes. Nuk ndihej fare shija e vezës, ishte e mirë. Në Vietnam e përdorin për të marrë energji.