Kafenetë, baret dhe restorantet e Montrealit të Kanadasë, me sa duket po heqin produktet amerikane nga menutë e tyre për t’i dërguar një mesazh të guximshëm SHBA-së pasi presidenti Donald Trump vendosi një tarifë 25% për mallrat kanadeze.
Në kafenenë Coco&Bean në West Island, pronari Ashley Murdoch tha se po e bën këtë për të marrë një qëndrim kundër Shteteve të Bashkuara duke e riemërtuar kafenë Americano në “Canadiano”.
“Ne donim që, pa u bërë shumë politikë, të argëtoheshim me idenë dhe të ndërronim emrin për të treguar me të vërtetë se si mbështesim dhe se si po përpiqemi të mbështesim komunitetin tonë”-tha Murdoch.
Ky ndryshim vjen pasi tarifat e Trumpit hynë në fuqi të martën, duke bërë që kryeministri Justin Trudeau të vendosë tarifa hakmarrëse prej 25% ndaj produkteve amerikane. John Edward Gumbley, president i grupit JEGantic, i cili drejton barin Yoko Luna, ka qenë i hapur për tarifat që kur kërcënimet e Trumpit filluan të bëhen tituj.
Si kundërpërgjigje, ai po heq disa marka amerikane të alkoolit nga objektet e tij, duke përfshirë një verë nga Kalifornia, një markë vodka nga Miami dhe madje edhe uiski të Jack Daniel’s.