Bota

Kancelari gjerman Friedrich Merz: “Heqja dorë e Ukrainës nga Donbasi, si të hiqte dorë SHBA-ja nga Florida!”

Kancelari gjerman Friedrich Merz foli gjithashtu për gazetarët pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump.

“Sa i përket çështjes se kush do të marrë pjesë në garancitë e sigurisë… është krejtësisht e qartë që e gjithë Evropa duhet të marrë pjesë”, tha Merz për mediat.

Ai kritikoi gjithashtu taktikat negociuese të Moskës me Kievin.

“Kërkesa ruse që Kievi të heqë dorë nga pjesët e lira të Donbasit është, për ta vënë në perspektivë, e barabartë me atë që SHBA-së t’i kërkohej të hiqte dorë nga Florida.”

Me mbështetje nga Evropa, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hyri të hënën në mbrëmje në negociata të ashpra me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Sipas kancelarit federal Friedrich Merz, i cili gjithashtu mori pjesë në samit, bisedimet janë zhvilluar në një atmosferë shumë të çliruar.

Presidenti amerikan Trump njoftoi garanci sigurie për Ukrainën dhe një takim dypalësh mes Putinit dhe Zelenskyt. Pas samitit për Ukrainën në Shtëpinë e Bardhë, një takim ndërmjet presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kreut të Kremlinit Vladimir Putin duket se po afrohet.