Kandidati i Listës Serbe për deputet, Milan Kostiç nuk ka respektuar heshtjen zgjedhore, duke e thyer atë.
Kostiç ka publikuar një thirrje për të votuar partinë e tij, e përveç kësaj ai u ka sugjeruar serbëve edhe numrat e kandidatëve për të cilët duhet të votojnë.
Mesazhi i tij gjithashtu përmbante gjuhë nacionaliste ku shkruhej “të gjithë për Serbinë”.
Me Ligjin e ri sipas nenit 37, “heshtja zgjedhore fillon” nga hapja e Qendrave të Votimit në ora 07:00, e deri në mbylljen e tyre në ora 19:00.
Heshtja zgjedhore është ligjërisht e zbatueshme. Gjatë kësaj periudhe kohore nuk lejohet asnjë fushatë aktive, e po ashtu edhe informimi për sondazhet e opinioneve është i ndaluar.
Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet që po mbahen sot.
Vuçiç po ashtu thekson që ata të votojnë Listën Serbe, sepse sipas tij është e vetmja garanci që Albin Kurti nuk do t’i dëbojë.
“Po shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë serbëve nga Kosova që të shkojnë e të votojnë. Votoni Listën Serbe, sepse ajo është garancia e vetme që Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova”, shprehet Vuçiç.
“Lista Serbe është e vetmja që dëshiron të luftojë për interesat e popullit serb dhe që Kurti në asnjë mënyrë nuk mund të japë ryshfet”, citon Vuçiçin, agjencia Tanjug.