Film & Tv Showbiz

Kate Winslet mahnit Londrën! Aktorja debuton si regjisore në filmin e ri të shkruar nga djali i saj!

Kate Winslet shkëlqeu në premierën botërore të filmit të saj të ri, “Goodbye Jun”, e cila u mbajt të mërkurën në Londër. Aktorja 50-vjeçare bëri një hap të rëndësishëm në karrierën e saj duke debutuar për herë të parë si regjisore në këtë dramë familjare, me skenarin e shkruar nga djali i saj 21-vjeçar, Joe.

Gjatë paraqitjes së saj në tapetin e kuq të The Curzon Mayfair, Winslet mahniti të pranishmit me një fustan elegant të zi me dekolte të hapur, duke reflektuar finesë dhe vetëbesim.

Ndërkohë, Joe u shfaq me një ‘smoking’ klasik të zi, të kombinuar me një këmishë të bardhë, duke përfaqësuar me elegancë projektin e tij të parë të madh si skenarist.

Joe është djali i Kate nga martesa e saj me ish-bashkëshortin, regjisorin e filmave “James Bond”, Sam Mendes, lidhje që përfundoi në vitin 2010 pas shtatë vjetësh martesë.

Në premierë morën pjesë edhe emra të njohur të kastit, përfshirë Andrea Riseborough, Toni Collette dhe Timothy Spall, të cilët parakaluan në tapetin e kuq për të promovuar filmin që ka zgjuar tashmë interes të madh tek publiku.