Aktorja britanike Keira Knightley ka rrëfyer se fama e jashtëzakonshme që fitoi në moshë shumë të re me rolin e saj në sagën “Piratët e Karaibeve” e çoi drejt një periudhe të vështirë emocionale, që më vonë rezultoi me çrregullim post-traumatik të stresit (PTSD).
Në një intervistë për revistën Variety, aktorja 40-vjeçare tha se përjetimi i famës pas filmit të parë në vitin 2003 ishte “traumatik”.
E konsideroja mjaft të tmerrshme. Nuk jam person ekstrovert, dhe atë nivel kontrolli e vëmendjeje e kisha shumë të vështirë për ta përballuar
-rrëfeu ajo.
Në atë moshë isha ende duke u formuar si njeri, dhe ishte e frikshme të përballeshe me gjithë atë presion publik.
Knightley, e cila u bë e njohur globalisht si Elizabeth Swann në moshën 17-vjeçare, tregoi se përballja me famën e menjëhershme ndikoi rëndë në shëndetin e saj mendor.
Në moshën 22-vjeçare ajo përjetoi një kolaps mendor dhe u diagnostikua me PTSD, çka e detyroi të tërhiqej për një vit nga aktrimi për të marrë trajtim profesional.
Duhej të bëja terapi dhe të kaloja përmes hipnoterapisë për ta kapërcyer. Ishte një periudhë jashtëzakonisht e vështirë
-ka treguar ajo më herët për Hollywood Reporter.
Sot, aktorja thotë se e menaxhon shumë më mirë famën dhe ndihet e qetë me ritmin e karrierës së saj.
Tani mund ta përballoj, dhe kjo është fantastike. Por atëherë nuk ishte aspak e lehtë – më duhej shumë terapi për ta kuptuar dhe pranuar gjithçka
-u shpreh ajo.
Megjithëse “Piratët e Karaibeve” mbetet një ndër sagat më të suksesshme në historinë e kinemasë, Knightley ka pranuar se nuk i ka parë të gjitha filmat.
Në një intervistë për BBC Radio 2, ajo tha me humor se nuk e ka parë kurrë pjesën e tretë, “At the World’s End”.
Thjesht mendoj se ka shumë fytyra. Shumë fytyra, vërtet – dhe sinqerisht, askush nuk ka nevojë t’i shohë aq afër
-tha aktorja me buzëqeshje.
Ajo shtoi gjithashtu se edhe disa nga filmat e tjerë të saj të njohur, si “Love Actually”, i ka parë vetëm një herë – në natën e premierës, më shumë se dy dekada më parë.