Këngëtarja britanike Annie Lennox, e njohur për zërin e saj të fuqishëm dhe hitet legjendare si “Sweet Dreams” me grupin Eurythmics, ka zbuluar një anë të panjohur të jetës së saj personale: në moshën 70-vjeçare, ajo është diagnostikuar me çrregullim të hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes (ADHD).
Në një intervistë për BBC, Lennox tha se diagnoza i ka dhënë kuptim shumë sfidave që më parë i dukej se nuk kishin shpjegim.
Jam si një magjistare që vëzhgon çdo gjë
-tha ajo, duke shtuar se ndjen se është paksa “neurodiferente” dhe se kjo njohuri i ka ndihmuar të kuptojë më mirë mënyrën se si funksionon mendja e saj.
Ekspertët theksojnë se shumë gra zbulojnë vonë se jetojnë me ADHD të padiagnostikuar, pasi simptomat shpesh janë më të brendshme dhe shfaqen ndryshe krahasuar me burrat.
Dr. Jenna Vyas-Lee, psikologe klinike, shpjegon se kjo mund të përfshijë ankth, ndjeshmëri të shtuar ndaj zhurmës, drojë dhe vështirësi në menaxhimin e emocioneve, gjë që mund të ndikojë në marrëdhënie dhe karrierë.
Shenjat e hershme mund të përfshijnë përqendrim të ulët, harresë, mungesë durimi, ndjesi konstante “rrëmuje mendore” dhe hiperaktivitet të brendshëm, të cilat shpesh interpretohen gabimisht si sjellje të zakonshme ose varësi.
Diagnoza, sipas ekspertëve, është hapi i parë drejt përmirësimit të cilësisë së jetës dhe mund të shoqërohet me ilaçe, terapi apo ndryshime në stilin e jetesës për të ndihmuar përqendrimin dhe qetësinë mendore.
Rrëfimi i Annie Lennox tregon se vetëdija dhe diagnoza nuk kanë moshë, dhe se njohja e vetes mund të hapë rrugën për një jetë më të ekuilibruar dhe të vetëdijshme.