Një studim i ri, i kryer mbi 15 milionë njerëz, ka treguar se personat me sëmundje mendore shpesh zgjedhin si partnerë njëri-tjetrin dhe se kjo ndikon edhe tek fëmijët e tyre. Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi një miliard njerëz në botë vuajnë nga çrregullime mendore. Duket se personat me sëmundje mendore shpesh lidhen me partnerë që gjithashtu përballen me probleme të ngjashme. Këtë e tregon një studim i publikuar në revistën Nature Human Behavior. Studiuesit analizuan të dhënat e afro 15 milionë individëve, duke vëzhguar nëntë çrregullime; skizofreninë, çrregullimin bipolar, depresionin, ankthin, ADHD, autizmin, çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD), abuzimin me droga dhe anoreksinë.
Rezultatet treguan se, kur një partner diagnostikohej me njërin nga këto çrregullime, gjasat ishin dukshëm më të mëdha që edhe partneri tjetër të kishte një sëmundje mendore, shpesh të njëjtën. Idetë e para për këtë prirje datojnë që në vitet ’60, por studimet e asaj kohe kishin përmasa të vogla. Vetëm një dekadë më parë u realizua një studim më i madh, i kufizuar në vendet e Evropës Veriore. Studiuesi i popullsisë dhe gjenetikës, Chun Chieh Fan, nga Laureate Institute for Brain Research në Oklahoma, ka mbledhur të dhëna nga tre vende; Danimarka, Suedia dhe Tajvani, për të parë nëse ky model është i njëjtë edhe në kultura të ndryshme. Dallime u gjetën vetëm për OCD, çrregullimin bipolar dhe anoreksinë. Në Tajvan, për shembull, çiftet kishin më shumë gjasa të ndanin diagnozën e OCD sesa çiftet në Evropën Veriore.
Të dhënat nga Tajvani, të mbledhura për më shumë se 50 vjet, treguan gjithashtu se kjo prirje ka mbetur e qëndrueshme ndër dekada. Madje për abuzimin me drogë, probabiliteti është rritur, ndërsa vetëm për OCD është ulur. Studiuesit identifikojnë tre arsye kryesore pse personat me çrregullime mendore lidhen më shpesh mes tyre. Kërkimi i ngjashmërisë; njerëzit zgjedhin dikë që ka përvoja të ngjashme. Mjedisi i përbashkët; faktorët e njëjtë shoqërorë apo mjedisorë mund të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të ngjashme. Stigma; paragjykimet lidhur me sëmundjet mendore mund të kufizojnë mundësitë e zgjedhjes së partnerëve. Kjo dukuri në psikologji quhet “asortiativitet në zgjedhjen e partnerit”. Mundësitë për afrim janë më të mëdha sepse partneri tjetër e kupton më mirë situatën, ose sepse të dy ndajnë cilësi pozitive të ngjashme, si kreativiteti.