Sot është një ditë shumë e rëndësishme për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji. Veliaj ka seancën në Gjykatën e Lartë, shkalla e fundit e gjyqësorit, që duhet të vendosë nëse do të lirohet apo jo. Seanca pritet të fillojë në orën 12:00.
Gjyqtarët duhet të shqyrtojnë argumentet e dhëna nga mbrojtja e kreut të bashkisë e më pas edhe ato të Prokurorisë së Posaçme se përse nuk duhet të ndryshojë masa e sigurimit “Arrest me burg”. Në fund, Gjykata e Lartë pritet që të thotë fjalën e fundit nëse Veliaj do të qëndrojë në qeli apo do të fitojë lirinë. Relatore e çështjes është caktuar gjyqtarja Albana Boksi.
Kujtojmë se kryebashkiaku Erion Veliaj, u arrestua më 10 shkurt të këtij viti e është nën hetim për korrupsion e pastrim parash.
Sa i takon Ervin Salianjit, ish-deputeti demokrat ka bërë kërkesë për lirim me kusht, pasi kreu 3/4-at e dënimit. Seanca e fundit u shty për më 8 korrik dhe sot, pritet të paraqitet një raport nga Shërbimi i Provës nëse përmbushen apo jo kushtet për ta liruar. Vetë Burgu i Fierit ka paraqitur një raport pozitiv dhe gjasat janë që Salianji të lirohet.
Ai ndodhet i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Ish-deputeti i PD-së u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga Gjykata e Apelit për dosjen e përgjimit “Babale”, duke u dënuar me 1 vit burg.