Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e Erion Veliajt për lirim nga burgu. Sipas prokurorëve nuk ka ndryshim kushtesh për zbutje të masës së sigurisë si për Veliajn, ashtu edhe për Elman Abulen. Avokatët e Veliajt kërkuan lirinë e tij në këmbim të garancisë pasurore, ndërsa për Abulen “Detyrim për paraqitje”. Kërkesat u rrëzuan nga gjyqtari Erjon Bani.
Në seancë, SPAK paraqiti informacionin dy mujor mbi ecurinë e hetimeve. Veliaj nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati. Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka caktuar datën 8 korrik, ora 12:00, për shqyrtimin e rekursit të Erion Veliajt për masën e sigurisë. Relatore është caktuar gjyqtarja Albana Boksi. Dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues do jenë Medi Bici dhe Sokol Binaj.
Rekursi do të shqyrtohet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve. Sipas njoftimit të Gjykatës së Lartë, kjo çështje i është nënshtruar gjykimit me procedurë të përshpejtuar, duke hyrë në kategorinë e çështjeve me prioritet.
Po sot, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi sekuestron e apartamentit pranë banesës së çiftit Veliaj – Xoxa. Ankues ishte biznesmeni Gentian Sula, në emër të kompanisë të të cilit rezulton pronësia, por sipas SPAK apartamenti ishte në përdorim nga kryebashkiaku.
Më 9 qershor, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e sigurisë arrest në burg për kryebashkiakun e Tiranës, i cili kërkoi lirinë kundrejt garancisë pasurore, pa përcaktuar një shumë duke ia lënë në vlerësim gjykatës. Por, gjyqtari Engert Pëllumbi rrëzoi kërkesën, ndërsa la në fuqi edhe masën e arrestit shtëpiak për biznesmenin Elman Abule, i cili ishte vetë në sallë. Kryebashkiaku Tiranës është në hetim për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërsa ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit.