Kim Kardashian dhe ish-bashkëshorti i saj, Kanye West, kanë kaluar së bashku festat e Krishtlindjeve, larg vëmendjes së mediave, në një ribashkim të rrallë familjar pas vitesh përplasje publike dhe marrëdhënieje të acaruar.
Sipas TMZ, ish-çifti vendosi të linte mënjanë konfliktet e së kaluarës për të festuar me katër fëmijët e tyre: North, 12 vjeçe, Saint, 9 vjeç, Chicago, 7 vjeçe dhe Psalm, 5 vjeç.
Burime pranë tyre tregojnë se atmosfera ishte e qetë dhe korrekte, me fokus të plotë te fëmijët.
Sipas të njëjtave burime, Kim dhe Kanye u treguan respektues ndaj njëri-tjetrit dhe po përpiqen aktivisht të përmirësojnë marrëdhënien e tyre si bashkëprindër, një zhvillim që konsiderohet i papritur pas viteve të ndarjes dhe tensioneve të hapura.
Ky afrimi vjen pas një periudhe reflektimi nga ana e Kanye West. TMZ raporton se reperi ka qenë duke “punuar me veten”, duke rishikuar sjelljet dhe deklaratat e tij të mëparshme, përfshirë komentet antisemite dhe lavdërimet ndaj Adolf Hitlerit që shkaktuan reagime të forta publike më herët gjatë vitit.
Një tjetër ndryshim i dukshëm lidhet me vajzën e tyre më të madhe, North. Sipas burimeve, Kanye tashmë është më mbështetës ndaj pranisë së saj në rrjetet sociale, pavarësisht se fillimisht kishte hezitime për faktin që ajo ishte kaq e re. Madje, ai e ka inkurajuar North të ndajë përmbajtje kreative dhe muzikore të lidhur me të, duke pranuar individualitetin e saj, stilin e guximshëm dhe madje flokët blu.
Ky ribashkim për festa bie në kontrast të fortë me deklaratat e fundit publike të Kim Kardashian, e cila ka folur hapur për vështirësitë e bashkëprindërimit me Kanye. Në një episod të The Kardashians, ajo pranoi se marrëdhënia me ish-bashkëshortin e saj e ka çuar shpesh në kufijtë e durimit, veçanërisht kur ai vë në dyshim rolin e saj si nënë.
Gjatë një bisede me Scott Disick, Kim u shpreh se ndihet e frustruar dhe e lodhur emocionalisht, por theksoi se prioriteti i saj absolut mbetet stabiliteti i fëmijëve.
Ajo tha se përpiqet të jetë prindi më i qëndrueshëm dhe i pranishëm, duke shmangur përfshirjen në debate publike.
Nuk angazhohem më. Mendoj se është më mirë kështu
-u shpreh ajo.
Kim Kardashian dhe Kanye West u martuan në Itali në vitin 2014, pak kohë pasi kishin mirëpritur vajzën e tyre të parë, North. Kim kërkoi divorcin në shkurt të vitit 2021 dhe ndarja u finalizua një vit më vonë. Kanye West është martuar që prej asaj kohe me Bianca Censori.
Pavarësisht gjithçkaje, Kim ka insistuar vazhdimisht se nuk ka penguar kurrë marrëdhënien e Kanye me fëmijët e tyre. Në disa intervista, ajo ka pranuar se situata është e dhimbshme dhe e ndërlikuar, por se zgjedh paqen dhe mbrojtjen e fëmijëve mbi çdo konflikt publik.