Drama më e re e Kim Kardashian në Hulu, “All’s Fair”, që pritej të ishte hapi i saj i madh drejt aktrimit serioz, është kthyer në një nga dështimet më të komentuara të vitit.
Me regji nga Ryan Murphy dhe një kast yjesh që përfshin Sarah Paulson, Glenn Close, Niecy Nash dhe Teyana Taylor, seriali u prezantua si një histori luksi, fuqizimi dhe intrige në sallën e gjyqit.
Por në vend të suksesit, ajo që mori ishte një valë kritikash.
Pas premierës, “All’s Fair” u vlerësua me 0% në Rotten Tomatoes, një rezultat pothuajse i paprecedent në historinë e platformës. Kritikët e medieve kryesore nuk kursyen fjalët e tyre.
Kelly Lawler nga “USA Today” e quajti serialin “shfaqja televizive më e keqe e vitit”, ndërsa Angie Han e “Hollywood Reporter” shkroi se performanca e Kardashian ishte “e ngurtë, e ftohtë dhe pa asnjë notë autenticiteti”.
Ed Power nga “The Daily Telegraph” shkoi edhe më tej, duke e quajtur Ryan Murphy “kryepriftin e televizionit të shëmtuar dhe pa shije”.
Megjithatë, ndonëse kritikët e kanë “shpërbërë” serialin, publiku duket se po mendon ndryshe.
“All’s Fair” është ngjitur në vendin e parë të listave të transmetimit në Hulu, ndërsa në rrjetet sociale ka shpërthyer një valë memes dhe reagimesh që e quajnë serialin “aq të keq sa është i mirë”.
Një përdorues në X shkroi:
Është e rrëmujshme, por s’mund ta ndaloj së parë. Kim nuk është as pjesa më e keqe!
Një tjetër shtoi:
Kritikët e urrejnë sepse nuk është televizion prestigjioz, është kaos, dhe kjo është ideja.
Pavarësisht gjykimeve të ashpra, duket se Kardashian ka arritur atë që shumë aktorë kërkojnë: të bëhet qendra e vëmendjes.
Dhe ndoshta, siç thonë fansat, “All’s Fair” nuk është një dramë e madhe, por është një spektakël që askush nuk mund ta injorojë.