Gossip Showbiz

Kim Kardashian përfshihet në një debat shkencor, një astrofizikan i Harvardit kërkon ndihmën e saj?

Bota e showbiz-it dhe ajo e shkencës janë përplasur në një mënyrë të pazakontë, pasi një deklaratë e Kim Kardashian për zbritjen në Hënë ka shkaktuar reagime nga NASA dhe madje ka përfshirë edhe një astrofizikan të Harvardit.

Në sezonin e fundit të reality-show-t “The Kardashians”, 45-vjeçarja tha se “nuk beson se njeriu ka zbritur në Hënë”, duke përmendur si “provë” disa video që kishte parë në TikTok.

Komenti i saj u bë viral, duke hapur një valë reagimesh nga shkencëtarë dhe fansa në mbarë botën.

NASA reagoi menjëherë përmes Sean Duffy, ushtrues detyre i administratorit të agjencisë, i cili i shkroi Kardashian-it në Twitter:

Po, Kim Kardashian, ne kemi qenë në Hënë… plot gjashtë herë! Dhe akoma më mirë: misioni NASA Artemis po kthehet sërish nën udhëheqjen e POTUS. E fituam garën e kaluar hapësinore dhe do ta fitojmë edhe këtë.

Ylli i “Keeping Up With the Kardashians” iu përgjigj me një pyetje të çuditshme:

Prisni… çfarë është kjo histori me 3I Atlas?!

Duffy sqaroi se bëhej fjalë për kometin ndër-yjor 3I/ATLAS, i treti i këtij lloji që kalon pranë sistemit tonë diellor, duke shtuar se nuk ka asnjë rrezik për Tokën dhe asnjë lidhje me alienët.

Ai e ftoi gjithashtu Kardashian-in të marrë pjesë në nisjen e ardhshme të raketës në Qendrën Hapsinore Kennedy.

Por debati mori një kthesë të papritur kur astrofizikani i Harvardit, Avi Loeb, ndërhyri publikisht, duke i kërkuar Kim-it të përdorë ndikimin e saj për të ndihmuar në kërkimin shkencor për kometin 3I/ATLAS.

Në një artikull të botuar në “Medium”, Loeb shprehu zhgënjimin që nuk kishte marrë përgjigje nga ekipi i NASA-s për të dhënat me rezolucion të lartë të objektit, të regjistruara nga kamera HiRISE në Mars Reconnaissance Orbiter.

Ai theksoi se publikimi i këtyre imazheve do të ndihmonte shkencëtarët për të kuptuar më mirë origjinën e objektit para se ai të largohet përfundimisht nga sistemi diellor.

Sjellja e Kim Kardashian në këtë debat mund të ndikojë që NASA të ndajë të dhënat në kohë. Shpërndarja e informacionit shkencor nuk duhet të vonohet nga burokracia

-shkroi Loeb.

Nga një teori konspirative e TikTok-ut deri tek kërkimet hapësinore të Harvardit, duket se një deklaratë e thjeshtë e Kim Kardashian ka arritur të trazojë si botën e showbiz-it, ashtu edhe atë shkencore.